Aktualitet AMP pezullon 4 policë në Elbasan

AMP pezullon 4 policë në Elbasan

AMP ka pezulluar nga detyra 4 punonjës policie të komisariatit në Peqin për shpërdorim detyre. Në njoftimin zyrtar thuhet se ata kanë lejuar kultivimin e kanabisitnë dy raste në banesën e shtetasit me iniciale R.B.

Ky i fundit është arrestuar rreth një muaj më parë për kultivim kanabisi.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ( Rajoni Elbasan – Korçë) në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka ekzekutuar masat e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj 4 punonjësve të Komisariatit të Policisë Peqin të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Komisar Sh.Xh., me detyrë shef seksioni i hetimit të krimeve në volum.

N/Komisar S.D., me detyrë specialist i hetimit të krimeve.

Inspektor A.K, me detyrë ndihmës specialist i hetimit të krimeve.

Inspektor A.K., me detyrë ndihmës specialist i policimit në komunitet.

Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur pas hetimeve të kryera me metoda speciale, ku ka dyshime të arsyeshme bazuar mbi prova për përfshirjen e punonjësve të policisë në shpërdorim detyre, duke lejuar me veprime dhe mosveprime konkrete zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm të kultivimit të bimëve narkotike të dy rasteve në banesën e shtetasit R.B. Në datën 13 shtator ky shtetas është arrestuar nga DVP Elbasan për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, pasi gjatë kontrollit në banesë i janë gjetur bimë të llojit kanabis sativa. Hetimet vazhdojnë për përfshirjen dhe të punonjësve të tjerë në këtë aktivitet kriminal”, thotë AMP.