Aktualitet Arrestohet 47-vjeçari që dhunoi çiftin e moshuar në Fier, 80-vjeçari përfundon në...

Arrestohet 47-vjeçari që dhunoi çiftin e moshuar në Fier, 80-vjeçari përfundon në intubim

Një 47-vjeçar nga Fieri ka rënë në prangat e Policisë, pasi ka dhunuar një 80-vjeçar së bashku me bashkëshorten e tij.

Sipas policisë, si pasojë e dhunës 80-vjeçari ndodhet i intubuar në spitalin e Fierit në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa bashkëshortja 77-vjeçare ka marrë mjekim dhe është larguar drejt banesës.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Povelçë në ambientet e jashtme të një dyqani ushqimor.

Njoftim i Policisë:

Dhunoi fizikisht 80-vjeçarin dhe bashkëshorten e tij, kapet dhe vihet në pranga autori.

80-vjeçari si pasojë e dhunës ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Fierit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier arrestuan shtetasin I. N., 47 vjeç, banues në fshatin Povelçë, Fier, person me preçedent penal për krime ndaj personit.

Në fshatin Povelçë, në ambientet e jashtme të dyqanit ushqimor në pronësi të shtetasit N.R, shtetasi I.N, për motive të dobëta ka goditur me grushta në pjesën e kokës, shtetasin N.R, 80 vjeç dhe bashkëshorten e tij, shtetasen A.R, 77 vjeçe.

Si pasojë e dhunës shtetasi N.R, ndodhet i shtruar dhe intubuar në spitalin rajonal Fier në gjendje të rëndë, në kujdesin e mjekëve. Ndërsa shtetasja A.R pasi ka marrë mjekim është larguar drejt banesës së saj.

Materialet procedurale do të referohen në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.