Aktualitet Katër të lënduar nga aksident i trefishtë në aksin Levan-Qarr, dëmtohen 36...

Katër të lënduar nga aksident i trefishtë në aksin Levan-Qarr, dëmtohen 36 kokë bagëti të imta

Një aksident i pazakontë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin rrugor “Levan-Qarr”.

Policia bën të ditur se tre makina janë përfshirë në këtë aksident ku si pasojë e përplasjes janë lënduar 4 persona të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën si dhe janë dëmtuar dhjetëra bagëti të imta.

Paraprakisht dyshohet se shkak ka qenë shpejtësia e lartë me të cilën po udhëtonte drejtuesi i mjetit që ka përplasur edhe dy mjetet e  tjera.

Çobani i bagëtive, në një prononcim për News24, ka deklaruar se kanë qenë dy makina me shpejtësi që po parakalonin njëra-tjetrën, ato që shkaktuan aksidentin.

“Po fusja bagëtinë brenda portës. Po vinin 2 makina u dola para t’i ndaloja, nuk ndalonin, po parakalonin njëri-tjetrin, u shmanga mos më vrisnin mua dhe më përplasën delet. Më kanë vrarë 40 krerë deri tani. Llogariten rreth 10 milionë lekë dëm. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 6″, shprehet ai.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

Njoftimi i Policisë:

Fier/ Informacion paraprak

Rreth orës 18:40, në aksin rrugor “Levan-Qarr”, automjeti me drejtues shtetasin L. Dh., është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin E. K., dhe me automjetin me drejtues shtetasin B. S.

Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar shtetasit L.Dh., dhe 3 pasagjerë të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjeksore, jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu nga përplasja e automjeteve në rrugë janë dëmtuar bagëtitë e imta të shtetasit N. M.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.