Aktualitet Mbanin me forcë minorenin nga Afganistani për punë, arrestohet i riu në...

Mbanin me forcë minorenin nga Afganistani për punë, arrestohet i riu në Shkodër, shpallet në kërkim i vëllai

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Minoreni” ka rënë në pranga një 18 vjeçar dhe është shpallur në kërkim vëllai i tij, 33-vjeçari me iniciale K. P.

Policia njofton se vëllezërit mbanin me forcë një 16-vjeçar nga Afganistani (i dyshuar i trafikuar), për ta shfrytëzuar për punë në Shkodër. Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë vëllai tjetër dhe babai i tyre. Minoreni u gjet nga uniformat blu në gjendje të mirë shëndetësore.

Konkretisht:

-u arrestua në flagrancë shtetasi A. P., 18 vjeç, banues në fshatin Berdicë e Mesme, Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;

-u shpall në kërkim shtetasi K. P., 33 vjeç (vëllai i 18-vjeçarit të arrestuar) banues në fshatin Bërdicë, për veprën penale “Trafikim i të miturve”;

-u proceduan në gjendje të lirë shtetasit L. P., 31 vjeç dhe A. P., 57 vjeç (vëllai tjetër dhe babai i 18-vjeçarit të arrestuar), të dy banues në fshatin Berdicë, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në servisin në pronësi të këtyre shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik, një armë zjarri pistoletë imituese zhurme, një armë sportive pneumatike dhe municion luftarak.

Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit, si dhe për kapjen e arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në të.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.