Bota Vrasja e separatistit, tension i lartë mes Kanadasë dhe Indisë, dëbojnë diplomatët

Vrasja e separatistit, tension i lartë mes Kanadasë dhe Indisë, dëbojnë diplomatët

Kanadaja ka dëbuar gjashtë diplomatë indianë, përfshirë një komisioner të lartë ndërsa tensionet shtohen për vrasjen që ndodhi vitin e kaluar të një separatisti në tokën kanadeze.

Si kundërpërgjigje edhe India urdhëroi dëbimin e gjashtë diplomatëve kanadezë të rangut të lartë, përfshirë edhe një komisioner të lartë. Policia kanadeze akuzoi agjentët indianë për përfshirje në vrasjen e Hardeep Singh Nijjar dhe shënjestrim të mbështetësve të lëvizjes pro-Khalistan, e cila kërkon një atdhe të veçantë për Sikhët në Indi.

India i ka konsideruar akuzat si të pahijshme. Në një konferencë për shtyp Trudeau tha se India kishte gabuar duke mbështetur akte kriminale. “Kjo është arsyeja pse ne vepruam”, tha kryeministri kanadez.

Marrëdhëniet janë tensionuar që kur Trudeau tha se Kanadaja kishte prova të besueshme që lidhnin agjentët indianë me vrasjen e Nijjar.

Hardeep Singh Nijjar u vra nga dy persona të armatosur jashtë një tempulli Sikh që ai drejtonte në Surrey, British Columbia . Ai ishte një mbështetës i lëvizjes Khalistan, por India në të kaluarën e ka konsideruar atë si një terrorist.