Aktualitet Goditet grupi që trafikonte emigrantë nga Lindja e Mesme, organizatorët e huaj...

Goditet grupi që trafikonte emigrantë nga Lindja e Mesme, organizatorët e huaj drejtonin trafikun nga Tirana

Operacioni policor i koduar “DAMASK” ka goditur një grup kriminal të trafikimit të emigrantëve klandestinë. Në një konferencë për shtyp, drejtuesi i Policisë Tiranë, Tonin Vocaj ka bërë të ditur se Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për 19 persona të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Gjatë fazës finale të këtij operacioni janë arrestuar 15 persona, nga të cilët 3 të huaj, me kombësi egjiptiane dhe siriane. Gjatë fazave të mëparshme të hetimit janë arrestuar në flagrancë 5 të tjerë, nga të cilët 3 hetohen me masën e sigurisë “Arrest në burg”, pa afat, ndërsa 2 me masën e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”. Ndërkohë janë shpallur në kërkim 4 të tjerë.

Referuar policisë, personat e implikuar në këtë veprimtari kriminale iu kanë dhënë ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit shumë shtetasve, kryesisht nga Lindja e Mesme, të cilët hynin në Shqipëri nga Greqia dhe tranzitoheshin në drejtim të kufijve veriorë të Shqipërisë, në Malin e Zi dhe në Kosovë.

Gjatë hetimeve të kryera në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 10 automjete, rreth 20 mijë Euro dhe 500 000 Lekë, 24 celularë, 10 pasaporta dhe fotokopje pasaportash të shtetasve egjiptianë dhe sirianë.

Hetimi ka dokumentuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se organizatorë dhe financues të veprimtarisë kriminale janë shtetasit e huaj.