Sport Policia suedeze nis hetimet për përdhunimin e një gruaje në Stokholm, Mbappe...

Policia suedeze nis hetimet për përdhunimin e një gruaje në Stokholm, Mbappe nën hetim

Kylian Mbappe duket se është futur në telashe të mëdha. Sulmuesi mungoi në grumbullimin e fundit të Francës për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe pushimet vendosi t’i kalojë në Suedi.

Megjithatë nga Stokholmi vijnë lajme aspak pozitive për yllin e Real Madrid.

Sipas mediave suedeze “Expressen” dhe “Aftonbladet”, Mbappe akuzohet se ka përdhunuar një grua në Suedi, ngjarje që dyshohet të ketë ndodhur me 10 Tetor.

Policia suedeze ka konfirmuar së është bërë një kallëzim penal për rastin në fjalë, ndonëse nuk përmendet emri i Mbappe.

“Në përgjigje të raporteve të mediave për një përdhunim të dyshuar në Stokholm, mund të konfirmohet se një kallëzim penal është dorëzuar në polici”, tha në një deklaratë Autoriteti i Prokurorisë suedeze.

Raportimet nga Suedia, bëjnë me dije se Mbappe me miqtë e tij ishin fillimisht në një restorant dhe më pas shkuan në një lokal nate, aty ku dyshohet edhe për rastin e përdhunimit. Në rast se akuzat konfirmohen, telashet për lojtarin do të ishin të mëdha, pasi mund të rrezikojë edhe arrestimin.