Aktualitet Salianji mbetet në burg, Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën për pezullimin e...

Salianji mbetet në burg, Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën për pezullimin e dënimit

Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Ervin Salianjit për të pezulluar dënimin me burg të dhënë prej tij nga Gjykata e Apelit.

Seanca u zhvillua në dhomë këshillimi, pa praninë e palëve, nga një Kolegj Penal me relator Sokol Binajn dhe anëtarë, Sandër Simonin dhe Ilir Panda.

Në Gjykatën e Lartë Salianji kërkoi pezullimin e ekzekutimit të dënimit ose shtyrjen e tij në kohë për tre muaj, referuar faktit që, është dënuar me vendim të formës së prerë një deputet i Kuvendit, për një denoncim publik të kryer në vitin 2018.

Në kërkimin e tij, ish-deputeti pretendon se zbatimi i vendimit do t’i sillte pasoja shumë të rënda, jo veç humbjen e mandatin, por edhe pengesë për të kandiduar në zgjedhjet e vitit 2025.

Të njëjtën kërkesë Salianji e ka depozituar edhe në Gjykatën e Tiranës.

Salianji ndodhet në burgun e Fierit prej datës 27 shtator 2024. Ish-deputeti demokrat akuzohet për “kallëzim të rremë publik” në lidhje me çështjen “Babale” pasi Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin e Salianjit me një vit burg.

Arrestimi i tij u pasua me një sërë reagimesh politike të krahut të djathtë, të cilët e cilësuan vendimmarrje politike. Opozita nisi me mosbindjen civile që kulmoi me protestën e 7 tetorit.