Bota Netanyahu shuan shpresat: Vdekja e liderit të Hamasit nuk i jep fund...

Netanyahu shuan shpresat: Vdekja e liderit të Hamasit nuk i jep fund luftës në Gaza

Në luftën kundër Hamasit në Gaza, vrasja e Yahya Sinwar është padyshim fitorja më e madhe e Izraelit deri më tani.

“Eleminimi i Sinwar-it krijon mundësi për lirimin e menjëhershëm të pengjeve dhe një ndryshim të mundshëm që mund të sjellë një realitet të ri në Gaza pa Hamasin dhe pa kontrollin iranian”, tha ministri i Jashtëm izraelit Katz.

Nga ana tjetër, kryeministri i izraelit Benjamin Netanyahu komplimentoi ushtarët dhe e bëri të qartë se sado e madhe mund të jetë fitorja e tyre me vrasjen e liderit të Hamasit, nuk është fundi i luftës.

Ai tha se pengjet e mbetur nuk janë të lirë dhe se Hamasi po lufton dhe po përpiqet të vrasë trupat izraelite.

Aksioni për vrasjen e Sinwarit nuk ishte i parapërgatitur.

Sipas një deklarate të ushtrisë, ai u vra në Rafah të Gazës Jugore gjatë kohës kur një tank i ushtrisë izraelite hapi zjarr pasi tre terroristë të dyshuar po vraponin nga një ndërtesë në tjetrën.

Sinwar ishte një nga arkitektët kryesorë të sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe Izraeli ishte zotuar ta vriste që nga fillimi i luftës në Gaza.

Ndërkohë, në një vit luftë janë vrarë të paktën 42,000 palestinezë.