Aktualitet Gjadri mbetet bosh, 12 emigrantët do të kthehen nesër në Itali. Reagon...

Gjadri mbetet bosh, 12 emigrantët do të kthehen nesër në Itali. Reagon ashpër Meloni

Emigrantët nga Egjipti dhe Bangladeshi në Shëngjin

12 emigrantët e jashtëligjshëm të sjellë në kampin e Gjadrit do të rikthehen nesër në Itali. Lajmi bëhet i ditur nga ANSA, e cila raporton se emigrantët do të nisen të shtunën nga Shëngjini me një anije të Marinës Italiane për t’u kthyer në Bari, nga ku do të dërgohen më pas në një qendër për azilkërkuesit në territorin italian.

Vendimi i autoriteteve italiane erdhi vetëm pak orë pasi gjykatësit e seksionit të emigracionit në Gjykatën e Romës nuk konfirmuan dërgimin në qendrat e Shëngjinit dhe Gjadrit, të azilkërkuesve nga Egjipti dhe Bangladeshi që u shpëtuan natën e 13 Tetorit në ujërat ndërkombëtare pranë brigjeve italiane.

Vendimi i gjykatës nuk ka të bëjë me marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë, por me përcaktimin si vende të sigurta të shteteve të origjinës prej nga vijnë emigrantët, sipas një vendimi të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, dhënë më 4 tetor.

Sipas kësaj gjykate, që një vend origjine të quhet i sigurt, ai duhet të jetë i tillë në të gjithë territorin e tij dhe kundrejt çdo individi, i cili duhet të jetë i mbrojtur nga persekutimet, diskriminimet apo torturat në çdo cep të vendit.

Italia i quan vende të sigurta origjine Egjiptin, Bangladeshin apo Tunizinë, por Gjykata e Romës thotë se sipas përcaktimit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë ato nuk mund të konsiderohen të tilla.

Teksa pritet që një anije t’i marrë 12 emigrantët të shtunën për t’i dërguar në Bari, në Itali ka shpërthyer debati politik, pasi kryeministrja Giorgia Meloni e akuzon opozitën për veprime te turpshme në dëm të vendit.

Meloni, e cila pasi mori lajmin gjatë vizitës së saj në Liban, komentoi për mediat vendimin e gjykatës duke thënë: “Është e vështirë të punosh dhe të përpiqesh t’i japësh përgjigje këtij kombi kur ke edhe kundërshtime nga një pjesë e institucioneve”.

Ndërkohë, reagimi nga ana e ministrit të Brendshëm italian, Matteo Piantedosi ishte më i qetë. “Ne respektojmë vendimin e gjyqtarëve, do ta apelojmë”, deklaroi ai.

Për sa i përket reagimeve politike në Itali, “Lega Nord” ishte e ashpër duke goditur sistemin e drejtësisë.

“Gjyqtarët pro emigrantëve duhet të kandidojnë në zgjedhje, por dijeni se nuk do të frikësohemi”, thuhet në një shënim zyrtar nga partia e Salvinit.

Ndërkohë nga partia e Melonit, “Vëllezërit e Italisë”, vendimin e pritën duke thënë: “E majta gjyqësore ndihmon të majtën parlamentare”.

Sakaq nga opozita janë më optimistë, me sekretaren e Partisë Demokratike, Elly Schlein që tha se “kemi paraqitur një pyetje për kostot e marrëveshjes me Shqipërinë”. “Ka një humbje për thesarin e shtetit”, tha Schlein.

Sakaq, vendimi i Gjykatës së Romës, i ngjashëm me të tjerë të miratuar tashmë nga gjyqtarët e qyteteve të ndryshme italiane, vë në dyshim themelin e gjithë paktit Rama-Meloni për emigrantët nga Afrika, për të cilin qeveria italiane ka parashikuar të shpenzojë mbi 600 milionë në pesë vite.

Supozimi nga i cili lindën rregullat e nisura nga ministri Piantedosi është se riatdhesimet mund të ndjekin një procedurë të përshpejtuar (4 javë) kur ato kanë të bëjnë me qytetarët e një liste vendesh të konsideruara “të sigurta” dhe që për rrjedhojë nuk shkaktojnë kërkesa për azil.

Megjithatë, vendimi i Gjykatës së Drejtësisë përcaktoi se kjo kërkesë plotësohet vetëm nga kombet në të cilat të gjitha kategoritë e individëve, pa përjashtim, janë të sigurta nga diskriminimi.

Shumë nga 22 vendet e identifikuara si “të sigurta” nga Italia nuk e kanë këtë status, prandaj ekziston pamundësia e mbajtjes së të huajve në kampin e Gjadrit.