Qeveria italiane pritet të miratojë të hënën, një dekret të ri urgjent që synon të heqë pengesat në zbatimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët e jashtëligjshëm.
Kryeministrja Giorgia Meloni ka vendosur që të bëjë ndryshime në ligjin që përcakton se cilët shtete konsiderohen si vende të sigurtë origjine, qytetarët e të cilëve nuk duhet të përfitojnë azil në Itali.
Nisma vjen pas vendimit të seksionit të migracionit në Gjykatën e Romës që urdhëroi kthimin urgjent në Itali të 12 emigrantëve të shpëtuar në ujërat e Mesdheut më herët gjatë kësaj jave, pasi vinin nga vende jo të sigurta origjine, bazuar në vendim të mëparshëm të Gjykatës Europiane të Drejtësisë.
Ky vendim ka rritur tensionet politike në Itali. Zv.kryeministri Matteo Salvini, në një deklaratë për televizionin publik italian Rai i konsideroi gjykatat si të politizuara.
“Nëse themi që nuk mund të dëbojmë askënd, nëse ndonjëri nga këta të 12-të, vjedh, përdhunon apo vret dikë, kush paguan për pasojat? Ai gjykatësi që i riktheu në Itali? Do doja ta dija sepse të gjithë punonjësit paguajnë për gabimet e tyre, me përjashtim të disa gjykatësve.”
Qeveria italiane nuk ka në plan të ndalë dërgimin e azilkërkuesve të refuzuar drejt qendrave të Shëngjinit dhe Gjadrit dhe pritet që ardhja e anijes së radhës të sjellë të tjerë në kampin e ngritur në Shqipëri për llogari të shtetit italian, pas ndryshimeve ligjore të së hënës.