Pak ditë pasi dorëzoi mandatin e deputetit të Partisë Socialiste është vënë në pranga Jurgis Çyrbja. Këtij të fundit, një javë më parë, Prokuroria e Posaçme i komunikoi edhe marrjen si të pandehur për “shpërdorim detyre”.
Ish-deputeti i Partisë Socialiste Jurgis Çyrbja, siç bën të ditur SPAK, është vënë në pranga pasi dyshohet për tre vepra penale, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit” si dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.
Përpos tij, në pranga është pasditen e së dielës edhe Ahmet Masha, ky i fundit një emër jo i panjohur për policinë pasi në vitin 2013 ka qenë i ndaluar për trafikun e drogës në Portin e Durrësit.
Dy të arrestuarit, janë shoqëruar fillimisht në Komisariatin e policisë së Shijakut, ndërsa aktualisht janë dërguar në Durrës.
Dyshohet se ish-deputeti socialist e ka përdorur platformën Sky Ecc dhe se ka pasur lidhje me një grup kriminal në qytetin e Durrësit.
Dyshimet rreth Çyrbjas janë të ngritur për periudhën 2013-2016 kur ai ka qenë në krye të Hipotekës së Durrësit.
Gjatë kohës që Çyrbja drejtonte Hipotekën e Durrësit, ai është marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë kohë, pasi dyshohej se kishte favorizuar Emiljano Shullazin për të përfituar prona në Durrës.