Ka ndërruar jetë në moshën 83 vjeçare Fethullah Gulen, në një spital në Pensilvani. Ai njihet si kreu i organizatës FETO dhe si kundërshtar i Presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan. Siç shkruajnë mediat e huaja, Gulen jetonte prej vitesh në Shtetet e Bashkuara. Mësohet se ai vuante nga sëmundja e veshkave dhe diabetit, por edhe demenca.
Ndarjen e tij nga jeta e ka konfirmuar edhe një website me emrin “Herkul” që besohet të jetë i organizatës në fjalë, e cila në Turqi cilësohet si terroriste.
FETO është grupi që akuzohet si përgjegjës për “grusht” shteti në 2016-ën në Turqi. Në fakt këtë emër (FETO) ia vuri Erdoğan, pasi për pjesën tjetër ajo është një lëvizje fetare popullore që prej vitit 1970.
Gulen dhe mbështetësit e tij kanë deklaruar se organizata e tyre është një rrjet i mirëqenies sociale i fokusuar në promovimin e arsimit, dialogut ndërfetar dhe një interpretimi paqësor, të moderuar sufi të Islamit.
Gulen ishte më parë aleat i Presidentit turk, por marrëdhëniet midis tyre u përkeqësuan në vitin 2013 kur Erdoğan e akuzoi atë për nxitje të hetimeve për korrupsion që synonin dhe implikonin dhjetëra zyrtarë të qeverisë dhe partisë në pushtet.