Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Bazment Bardhi, thotë se skema si ajo për të cilën SPAK akuzon ish-deputetin e Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, është e shtrirë në të gjithë vendin.
“Aksesi i organizatave kriminale deri në pikën e caktimit të renditjes së kandidatëve në listën e deputetëve të PS është prova më domethënëse që Edi Rama është një Kryeministër i marrë peng nga bandat. Firma e Edi Ramës si Kryetar i PS për të plotësuar kërkesën e një prej grupeve më të rrezikshme të krimit të organizuar është akti më domethënës i gjunjëzimit të një partie politike dhe të Kryeministrit përpara tyre. Ky nuk është një rast i izoluar, por i shtrirë në çdo qark, në çdo bashki”, shkruan Bardhi në Facebook.
“Trajtimi i krimit të organizuar si bashkëaksioner në qeverisje është rënie e shtetit, asgjësim i zgjedhjeve të lira, vdekje e demokracisë. Opozita e ka ngritur këtë shqetësim prej vitesh, por Kryeministri i bandave ka bërtitur “shpifje, shpifje, shpifje”, dhe sot si gjithmonë pasi i provohet, fshihet dhe hesht!”.
“Listën e kandidatëve dhe renditjen e tyre nuk e caktojnë deputetët, por e harton dhe miraton Edi Rama. Bandat nuk kanë punuar për të bërë një deputet, por kanë punuar për të bërë Kryeministër Edi Ramën. Bandat nuk kanë mbledhur vota për të bërë një deputet, por për të bërë Edi Ramën Kryeministër. Nuk janë deputetët bashkëpunëtor të grupeve kriminale, por Edi Rama që ka ndarë qeverisjen me to dhe ka fituar pushtetin në bashkëpunim me to. Kjo e bën zyrtarisht Shqipërinë vendin e parë në botë që qeveriset me prova të pakontestueshme nga krimi i organizuar! Përgjegjës për këtë është vetëm Edi Rama dhe askush tjetër”, akuzoi Bardhi.