Gjykata e Posaçme ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-deputetin e Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja.
Çyrbja akuzohet për kryerjen e tre veprave penale, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”. Togat e zeza lanë në burg edhe Ahmet Mashën.
Çyrbja ka preferuar të heshtë përpara trupës gjykuese, ndërsa mbrojtja ligjore e tij mohoi që ish-deputeti të ketë përdorur aplikacionin SkyEç.
Të hënën, Prokuroria e Posaçme dha detaje të hollësishme mbi akuzat që rëndojnë ndaj ish-deputetit të Partisë Socialiste. Sipas SPAK, në këmbim të votave në zonë, Çyrbja i siguronte Altin Hajrit, person i shpallur në kërkim, informacione për të shmangur kapjen e tij.
“Ka rezultuar se personi nën hetim Jurgis Çyrbja, në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka pasur një marrëdhënie miqësore me personin tjetër nën hetim Altin Hajri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale. I hetuari Jurgis Çyrbja, për shkak të funksionit të tij si deputet i ka ofruar favorizime të ndryshme të hetuarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Altin Hajri, duke ndërhyrë në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Shqipëri, me qëllim favorizimin e tij apo të lidhjeve të ngushta familjare e shoqërore, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal”, thotë SPAK.