Për Vladimir Putin është mbi të gjitha një çështje imazhi, nevoja për të treguar afërsi fizike dhe ndjeshmëri me mysafirët e tij, një përgënjeshtrim plastik për izolimin e tij ndërkombëtar. Për këtë arsye, presidenti rus ka planifikuar njëzet takime dypalëshe në dy ditë e gjysmë.
Kështu, buzëqeshjet, shtrëngimet e ngrohta të duarve dhe mbi të gjitha përqafimet ishin shenjë dalluese e ditës së parë të samitit BRICS që u hap dje në Kazan të Tatarstanit, i pari që kur pesë vendet themeluese (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) u janë shtuar Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Etiopia dhe Irani. Arabia Saudite, e cila po merr pjesë në samit, ende nuk është anëtarësuar zyrtarisht.
Takimi me Xi Jinping
Bota është përfshirë nga kaosi, por partneriteti strategjik i Pekinit me Moskën, është një forcë për stabilitet mes ndryshimeve më të rëndësishme që janë parë në një shekull. Janë fjalët që presidenti kinez Xi Jinping i tha homologut rus Vladimir Putin, gjatë takimit të zhvilluar në kuadër të samitit të BRICS, që po mbahet në Kazan.
Gjatë muajit maj, udhëheqësit u zotuan për një epokë të re bashkëpunimi mes dy rivaleve më të fuqishëm të SHBA të cilën e konsideruan një shtet agresiv hegjemonist, që mbjell kaos rreth botës.
“Bota sot, përballet me momente transformimi të papara në një shekull, të cilat po rezultojnë në një mjedis të trazuar ndërkombëtar. E megjithatë kam besim se miqësia e thellë dhe e qëndrueshme mes Kinës dhe Rusisë nuk do të ndryshojë, ashtu si ndjenja jonë e përgjegjësisë si fuqi të mëdha për botën dhe njerëzit”, u shpreh presidenti kinez.
Presidenti Putin e quajti Jinping, mik të dashur, dhe tha se partneriteti me Kinën ishte faktor stabiliteti në botë.
“Bashkëpunimi ruso-kinez në çështjet botërore është një prej faktorëve stabilizues në skenën botërore. Ne synojmë të thellojmë edhe më tej koordinimin në të gjitha platformat në mënyrë që të mundësojmë siguri globale dhe një rend të drejtë botëror”, tha Putin.
Presidenti kinez tha se BRICS, ishte platforma më e rëndësishme në botë, për solidaritet dhe bashkëpunim mes ekonomive e vendeve në zhvillim.
Organizatorja e samitit të BRICS, Rusia, e sheh atë si një mundësi për të sfiduar ndikimin e perëndimit në çështjet globale dhe për të treguar se përpjekjet për ta izoluar Moskën kanë dështuar.
36 vende dhe 20 krerë shtetesh po marrin pjesë ne samit, mes të cilëve edhe presidenti iranian dhe kryeministri indian.