Kryesore “Meta nuk më erdhi në spital kur u operova”, Kryemadhi: SPAK tha...

“Meta nuk më erdhi në spital kur u operova”, Kryemadhi: SPAK tha se kam bashkëpunuar me të për operacionin

Monika Kryemadhi përsëriti edhe njëherë deklaratat e saj se akuzat e ngritura ndaj Ilir Metës nuk kanë asnjë lidhje.

Për të, nuk është gjetur asnjë provë e re në çështjen CEZ-DIA dhe për këtë arsye Meta është bashkuar nga SPAK me akuzat që janë ngritur ndaj saj.

Kryemadhi ironizoi dhe një deklaratë që sipas saj prokurorët e SPAK bënë, sikur ajo ka bashkëpunuar me Ilir Metën për pagimin e një operacioni.

“Drejtësi e kastruar. E vështirë është që gjyqtarët të dalin kundër vendimit të prokurorisë. Për zotin Meta nuk mund të flas unë. Qëndrimi im është që për çdo gjë që akuzohet Ilir Meta nuk ka asnjë lidhje. Nuk kanë pasur asgjë për CEZ-DIA dhe e kanë bashkuar me akuzat e mia. Meta nuk më erdhi as në spital kur u operova se do merrej me reformën në drejtësi. Nuk është problem që Ilir Meta është i rrezikshëm, por kështu e kanë ndarë mendjen. Mua më thanë sekret hetimor, ndërsa ju e kishit përpara meje. Më thanë që kam paguar 6 mijë euro me kartë dhe 5 mijë euro cash për operimin në bashkëpunim me Ilir Metën”, tha Kryemadhi.

Kryemadhi deklaroi se avokati Genc Gjokutaj duhej të kishte kërkuar masë sigurie detyrim paraqitje për Ilir Metën dhe arrest në burg për të.

“Avokati Gjokutaj duhej të kërkonte arrest me burg për mua, dhe detyrim paraqitje për Ilir Metën”, tha Kryemadhi.

Ndër të tjera ajo u shpreh se çështja duhej të ishte ndarë.

“Janë absurditete akuzat që i kanë ngritur. Ia kërkova dhe Prokurorisë, çështja duhet të ishte ndarë. Në një sallë ishte për të na provokuar dhe për show”, tha Kryemadhi.