Dy persona kanë rënë në prangat e policisë pasi kanë vjedhur brenda një marketi te “Rruga e Dibrës” në Tiranë, plot 15 milionë lekë të vjetra.
Policia ka bërë publike pamjet e kapura në mesnatë më datë 21 Tetor nga kamera e marketit.
Shihet se njëri nga grabitësit hap kasafortën, merr paratë dhe i fut në një qese dhe largohet krejt i qetë prej aty.
Por ‘arratia’ e tij dhe e bashkëpunëtorit zgjati vetëm 3 ditë. Ata janë arrestuar për veprën penale “vjedhje me pasoja të rënda”.
“Si rezultat, gjatë operacionit policor të koduar “Kasaforta”, u identifikuan dhe arrestuan dy autorët e dyshuar, shtetasit: R. S., 21 vjeç, banues në Pukë, për veprat “Vjedhja” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 134/3-25 dhe 278/1 të Kodit Penal. A. P., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 134/3-25 i Kodit Penal. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas, më datë 21.10.2024, pas mesnate, kanë vjedhur 1 500 000 lekë në kasafortën e një marketi në Rrugën e Dibrës. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit R. S., shërbimet e Policisë kanë gjetur të groposur 1 armë zjarri pistoletë, me krehër me municionin luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me një pjesë të parave të dyshuara të vjedhura dhe veshje që autorët kanë përdorur gjatë vjedhjes”, thotë policia.