SPAK ka dërguar për gjykim dosjen hetimore për ish-drejtoreshën e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi, e cila akuzohet se ka ndihmuar vëllezërit Besjan dhe Leonard Ramaj të pastronin paratë e fituara nga aktivitetet kriminale.
SPAK ka sekuestruar edhe pasuritë e dy vëllezërve, Besjan dhe Leonard Ramaj.
Prokuroria e Posaçme thotë se ata janë dënuar në Belgjikë në vitin 2021 për vepra penale të lidhura me narkotikët. Njëri prej tyre, Besjan Ramaj është dënuar për të njëjtat vepra edhe nga autoritetet e drejtësisë norvegjeze në vitin 2012.
Sipas akteve të dërguara nga autoritetet belge, rezulton se vëllezërit në bashkëpunim me Ardjan Malasin (i njohur i tyre) kanë kryer në mënyrë sistematike veprime të kundraligjshme me qëllim pastrimin e parave. Ata kanë investuar në pasuri të paluajtshme si dhe kanë lëshuar fatura fiktive për të justifikuar burimin e të ardhurave.
“Kjo veprimtari kriminale rezulton të ketë nisur nga viti 2010 e në vijim deri në vitin 2023”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Përveç Malasit, me ta ka bashkëpunuar edhe Rajmonda Dashi. Kjo e fundit është ish-drejtoresha e Kadastrës Durrës, ndaj së cilës vitin e shkuar është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
“Rezulton se ajo ka vepruar në kuadër të bashkëpunimit të thjeshtë dhe jo atij të veçantë. Veprimet e tyre kanë konsistuar kryesisht a) në transferimin e pasurisë me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme; b) fshehjes ose mbulimit të pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; c) fitimit të pronësisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; ç) kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave; d) investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave a sendeve, duke ditur se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale dh) përdorimit të shoqërive tregtare, përmes lëshimit të faturave fiktive për të transferuar lehtësisht paratë”, thotë Prokuroria e Posaçme.
Shuma e parave të përfshira në veprimtarinë e tyre kriminale është afro 1 250 000 Euro dhe 9 milion lekë.
Janë sekuestruar:
-12 apartamente në qytetin e Fierit;
-1 dyqan prej 300m 2 në qytetin e Fierit;
-1 pasuri e paluajtshme, ullishte, me sipërfaqe 5.200 m, ndodhur në Mallakastër;
-4 apartamente në qytetin e Tiranës;
-3 ambiente me funksion garazh në qytetin e Tiranës;
-1 shoqëri tregtare;
-2 automjete;