Venecia do të dyfishojë numrin e ditëve që u ngarkon turistëve një tarifë hyrëse për vitin 2025. Kryebashkiaku Brugnaro tha se ky vendim ka ardhur pas provës së suksesshme të vitit 2024. Ai shtoi se objektivi i masës është për të reduktuar turistët ditorë dhe për t’i dhënë Venecias respektin që meriton.
Udhëtarët ditorë që rezervojnë përpara do të duhet të paguajnë 5 € për të hyrë në qytetin italian në ditë të caktuara midis Prillit dhe Korrikut, duke u rritur në 10 € nëse rezervojnë më pak se 4 ditë përpara. Kjo tarifë u prezantua për herë të parë Prillin e kaluar dhe mbuloi 29 ditë, kryesisht fundjavave dhe festave publike, gjatë një periudhe 4-mujore.
Ndërsa vitin e ardhshëm, taksa do të aplikohet çdo të premte deri të dielën dhe në ditët e festave publike, ndërmjet 18 Prillit dhe 27 Korrikut 2025 për një total prej 54 ditësh.
Të gjithë vizitorët mbi 14 vjeç do të duhet të paguajnë tarifën në telefonat e tyre dhe të shkarkojnë një kod QR për t’u treguar inspektorëve, të cilët do të kontrollojnë turistët në mënyrë të rastësishme në zonat e përbashkëta të mbërritjes, si stacioni i trenit. Ndërsa ata që do të jenë pa biletë do të rrezikojnë që të gjobiten.
Ashtu si me tarifën e mëparshme, personat që do të kenë rezervime hotelesh dhe bujtinash do të përjashtohen, si dhe banorët e rajonit Veneto, studentët e regjistruar në universitetin e Venecias dhe ata që vizitojnë të afërmit që jetojnë në Venecia.
Sipas mediave italiane, në 8 ditët e para të skemës në muajin Prill autoritetet e Venecias mblodhën shumën që shpresonin të arrinin në 3 muaj. Deri në fund të periudhës së testimit të provës, qyteti kishte mbledhur rreth 2.4 milion Euro nga tarifat e hyrjes.