Bota Takoi ministrin rus të sanksionuar, Von der Leyen anulon takimin me kryeministrin...

Takoi ministrin rus të sanksionuar, Von der Leyen anulon takimin me kryeministrin serb

Von der Leyen me Vucic

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, anuloi takimin e parashikuar me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviç në Beograd, pasi ai më herët kishte pritur ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov, një personazh ky i prekur nga sanksionet e perëndimit për shkak të luftës në Ukrainë.

Më herët të premten, shefja e KE-së u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me të cilin bisedoi për rrugën e Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Vuçeviç u takua me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov, në kryeqytetin serb të premten, në ditën kur von der Leyen po qëndron në Serbi si pjesë e turneut të saj në Ballkanin Perëndimor.

Qeveria serbe tha se Vuçeviç dhe Reshetnikov biseduan për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe të përgjithshëm ndërmjet dy vendeve.

Reshetnikov është në mesin e një numri zyrtarësh nga Moska që janë nën sanksione perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, që nisi më 2022.

Reshetnikov tha se Moska e “çmon politikën e balancuar” të Serbisë dhe qëndrimin e saj për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë, sipas njoftimit.