Ekonomi Si rezultoi eksperimenti i Islandës me javën e punës katërditore?

Si rezultoi eksperimenti i Islandës me javën e punës katërditore?

Ekonomia e Islandës po përparon në krahasim me shumë vende të tjera evropiane falë futjes së një jave pune më të shkurtër pa ulje page, shkruan CNN.

Midis viteve 2020 dhe 2022, rreth 51% e punonjësve në vend pranuan oferta për të punuar më pak orë, përfshirë javën katër-ditore.

Studimi nga Instituti Autonomy dhe organizata islandeze Alda thekson se produktiviteti mbeti i qëndrueshëm ose u rrit në shumicën e vendeve të punës, ndërsa mirëqenia e punëtorëve u përmirësua ndjeshëm në aspektet e stresit, shëndetit dhe balancës jetë-punë.

Këto ndryshime filluan me dy prova të mëdha në sektorin publik nga viti 2015 deri në 2019, ku 2500 punonjës, përfaqësues të më shumë se 1% të forcës punëtore të vendit, punuan 35-36 orë në javë me të njëjtën pagë. Rezultatet inkurajuan sindikatat islandeze që të negociojnë orë më të shkurtra për mijëra punonjës.

Në vitin 2023, ekonomia e Islandës u rrit me 5%, duke u pozicionuar e dyta në Europë pas Maltës dhe shumë mbi mesataren e mëparshme prej 2%. Megjithatë, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon që rritja ekonomike do të ngadalësohet këtë vit për shkak të kërkesës së ulët të brendshme dhe rënies së turizmit.

Me një normë papunësie prej vetëm 3,4% në vitin 2023, një nga më të ulëtat në Europë, Islanda vazhdon të shfaqë një vitalitet të fortë ekonomik.

Eksperimentet e javës katër-ditore janë rritur globalisht, dhe rezultatet pozitive të Islandës tregojnë përfitimet e mundshme të një politike të tillë edhe në vende të tjera.