SPAK i kërkon Gjykatës së Posaçme konfiskimin e 96 pasurive dhe llogarive bankare që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës në Itali dhe janë investuar në Shqipëri.
Bëhet fjalë për pasuri të 15 personave nën hetim, të cilët disponojnë, mjete, pasuri të paluajtshme, subjekte tregtare, shoqëri aksionere dhe llogari bankare në banka të nivelit të dytë.
“Pasuritë e identifikuara në pronësi të shtetasve; Fael Muka, Xhulio Kastrati, Kledjon Mucollari, Ervis Vangjeli, Kristian Ibrahimaj, Alban Mahilaj, Klaudia Sulejmani, Besmir Selamaj, Altin Ymeraj, Mark Lisi, Ani Kuci, Daniel Elezi, Erando Mara, Indrit Kolgjokaj, Endri Sercan dhe familjarëve të tyre, të paluajtshme apo të luajtshme kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe i kanë fituar si rezultat i veprimtarisë së tyre kriminale të zhvilluar në Shqipëri dhe Itali”, sqaron SPAK.
Totali i vlerës së pasurive që janë bllokuar dhe pritet të kalojnë në favor të shtetit arrin në vlerën e 5 milionë Eurove.
Të pandehurit janë pjesë e një grupi kriminal të përbërë me shqiptarë dhe italianë, të cilët kanë trafikuar lëndë narkotike drejt shtetit fqinj dhe më pas e kanë shpërndarë.
Paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme janë investuar në territorin e Shqipërisë. Grupi që investoi paratë në vendin tonë, u godit në shkurt të këtij viti gjatë operacionit të koduar ‘Muratori’.
Bëhet fjalë për një aksion të ndërmarrë në disa shtete nën koordinimin e EUROJUS, Prokurorisë së Posaçme, dhe Prokurorisë së Firences. Në këtë operacioni u ekzekutuan 92 masa sigurimi persona, 65 prej të cilave për shtetas shqiptarë.
Gjatë aksionit u shkatërrua drogë që nëse do hidhej në treg do kapte vlerën e 2.7 milionë eurove. Lënda narkotike trafikohej nga Shqipëria në dy rrugë, detare dhe tokësore.
Një pjesë pasi sigurohej në vendet e Lindjes së Mesme eksportohej në shtetet e BE-së, ndërsa droga nga Shqipëria dërgohej nëpërmjet detit për në Brindisi.
SPAK kërkon konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive si më poshtë:
43 (dyzetetre) automjete
4 (katër) motomjete
18 (tetëmbëdhjetë) pasuri të paluajtshme
25 (njëzetepesë) subjekte tregtare si; SH.P.K (Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar) dhe P.F (Person Fizik)
6 (gjashtë) shoqëri aksionere – konkretisht konfiskimi i përqindjeve takuese të personave të hetuar dhe familjarëve të tyre
Llogari bankare në të gjitha bankat e nivelit të dytë të personave të hetuar si dhe familjarëve.