Aktualitet Kthimi i mbetjeve të rrezikshme në Portin e Durrësit, Bylykbashi: SPAK të...

Kthimi i mbetjeve të rrezikshme në Portin e Durrësit, Bylykbashi: SPAK të bëjë drejtësi, prek të gjithë qytetarët

Skenë krimi me të cilën duhet të merren Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit. Kështu e ka cilësuar deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, kthimin në portin e Durrësit të 100 kontejnerëve me mbetje toksike.

Në një deklaratë për mediat nga protesta në Portin e Durrësit për këtë çështje, ai tha se këto mbetje janë rrezik për të gjithë Shqipërinë dhe qytetarët.

“Mbetjet toksike po vijnë në Portin e Durrësit dhe e bëmë këtë protestë për të caktuar qartë qëndrimin jo vetëm të PD, por edhe të qytetarëve të Durrësit dhe Shqipërisë që janë kundër këtyre mbetjeve. Para se të jem deputet, jam një qytetar që rrezikohet si çdo qytetar i Durrësit. Ky është rrezik për të gjithë Shqipërinë se askush nuk di ç’po ndodh me këto mbetje toksike që do helmojë jetën e qytetarëve tanë e fëmijëve tanë. Ky është një nga ato skandale që duhet të shqetësojë çdo qytetar e çdo prind. Durrësi mban kampion për numrin e sëmundjeve që vijnë nga ndotja e ambientit. Këto helme rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e gjithsecilit”, tha ai.

Ai akuzoi qeverinë për këtë çështje dhe kërkoi reagimin qytetar që të gjithë që janë të përfshirë të marrin përgjegjësi.

“Çfarë do të kishte ndodhur nëse Rrjeti i Bazelit nuk do të kishte denoncuar këtë aferë. Është kriminale, jo thjesht korruptive. Askush nuk dinte asgjë për 100 kontejner të mbushur me mbetje toksike nga Shqipëria për t’i dërguar diku tjetër. Nëse nuk do kishin reaguar organet e shteteve të tjera nuk do t’i merrnim vesh do të vinin dhe do të hidheshin në det pa i thënë askujt asgjë. Është model kriminal qeverisjeje. Është detyra qytetarë që të reagojmë fort dhe të kërkojmë përgjegjwsi para ligjit dhe në burg të gjithë ata nga më i vogli te më i larti. Kjo shkon te Rama, ka nxjerrë vetëm pak ministra të flasë. Të gjithë kanë përgjegjësi. SHISH ka dijeni të plotë, policia ka Autoriteti Portual ka”.

Duke e cilësuar si një skenë gjigante krimi, Bylykbashi theksoi se  nuk duhet vetëm transparenca por edhe hetimi i SPAK për të vënë drejtësi.

“Kjo është një skemë krimi gjigande. Ky port është kthyer në vatër të korrupsionit kriminal ku  bashkohen interesat e politikës dhe krimit. Porti është skenë krimi dhe është prova sesi janë grabitur shqiptarët për të ja dhënë mikut të Ramës dhe kur ndodh kjo asgjë nuk mund ta pengojë kalimin e mbetjeve toksike. Nuk kemi nevojë vetëm për transparencë. Këto mbetje u pikasën nga Rrjeti i Baselit dhe zbuluan skandalin duke i bllokuar në një vend tjetër dhe po i kthejnë pas për të helmuar shëndetin e qytetarëve të Shqipërisë. Pyetja është ku është prokuroria? Kjo është skenë krimi prokuroria duhet të jetë në këmbë për të sekuestruar jo vetëm të bëhet transparencë. Kjo nuk është për t’ia transferuar prokurorisë së Durrësit, për të varrosur këtë krim, por këtu duhet të merret SPAK, SPAK duhet të tregojë që këto 100 kontejner i ka ndër sy për të bërë drejtësi. Ky shqetësim shkon përtej çdo ndasie politike. Ajo që na shqetëson ne përveç mungesës së transparencës është shëndeti dhe rreziku i saj nga këto mbetje toksike”, tha Bylykbashi.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së opozitës më 29 tetor për bllokuar qarkullimin te mbikalimi i Shkozetit.