I shumëkërkuari Durim Bami është arrestuar në Dubai, ndërsa pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë.
Bami u arrestua edhe më herët në Dubai, konkretisht në qershor të 2024-ës pas shkëmbimit të informacionit nga Interpol Tirana me atë të Abu Dhabit.
Gjatë kohës që Bami ishte i arrestuar në Dubai, Ministria e Drejtësisë nisi zyrtarisht kërkesën për ekstradimin e 45-vjeçarit.
Megjithatë, arrestimi i tij nuk zgjati shumë pasi u lirua rreth dy muaj më pas nga autoritetet e Dubait.
Durim Bami u shpall në kërkim gjatë operacionit “Revanshi”, pasi doli në bisedat e aplikacionit Sky. 45-vjeçari planifikonte vrasjen e ish-deputetit Arben Ndoka, Tori Xheçukës dhe Erigers Mihasit.
Nga ana tjetër, ndaj Durim Bamit ishin vënë në ndjekje dhe bashkëpunonin 16 persona.
Sipas komunikimeve të zbardhura nga Prokuroria e Posaçme, grupet kriminale kishin vendosur deri në 1 milionë euro shpërblim për vrasjen e tij.
Përveç krijimit të kushteve për të kryer vrasje, Bami akuzohet edhe për kultivim të bimëve narkotike.
Sipas SPAK, Bami dyshohet se bashkëpunoi me ish-efektivin e RENEA, Altin Morina për të mbjellë kanabis në zonën e Niklës.