Një ditë pasi paralajmëroi se do të dërgonte në SPAK ambasadorët e trupës diplomatike të Shqipërisë që kanë marrë pjesë në takimet e kryeministrit Edi Rama me diasporën, Gazment Bardhi ka bërë një tjetër hap në këtë drejtim duke i kërkuar zyrtarisht një reagim Presidentit Bajram Begaj.
Përmes platformës ‘X’, Bardhi informon publikun se i është drejtuar zyrtarisht Presidentit të Republikës “që të ndërhyjë për të mos lejuar cënimim e rëndë të barazisë së palëve në zgjedhje dhe parimeve themelore që garantojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”.
Sipas Bardhit, Kreu i Shtetit nuk duhet të heshtë, por duhet të ngrihet në lartësinë e detyrës.
Kreu i grupit demokrat këmbëngul se pjesëmarrja e ambasadorëve në takimet elektorale të Ramës tregon se shteti është bërë një me partinë dhe përbën një vepër penale që dënohet me 3 vjet burg nga Kodi Penal, sipas paragrafëve 1 dhe 4 të nenit 328/a për ‘përdorimi të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore’”.
“Heshtja dhe mungesa e reagimit të Presidentit të Republikës për veprimin kriminal të mazhorancës qeverisëse dhe Trupit Diplomatik, perceptohet si mesazh i qartë që Presidenti e mbështet këtë aktivitet të paligjshëm, dhe mbi të gjitha mbështet shkrirjen në një të shtetit dhe partisë në zgjedhje. Po sot kam depozituar në SPAK edhe kërkesën për hetimim dhe ndjekjen penale ndaj Edi Ramës, Taulant Ballës, Igli Hasanit, dhe Ambasadorëve të konstatuar, për kryerjen e veprës penale të parashikuar në nenin 328/a të Kodit Penal”, shkruan Bardhi në platformën ‘X’.
1/3. Sot i jam drejtuar zyrtarisht Presidentit që të ndërhyj për të mos lejuar cënimim e rëndë të barazisë së palëve në zgjedhje dhe parimeve themelore që garantojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Presidenti nuk duhet të hesht, por duhet të ngrihet në lartësinë e detyrës! pic.twitter.com/ZIkM6DRp2d
— Gazment Bardhi (@GazmentBardhi) October 28, 2024