Kryesore Do takonte edhe Belerin, Rama anulon takimin zyrtar, u shkon në hotel...

Do takonte edhe Belerin, Rama anulon takimin zyrtar, u shkon në hotel eurodeputetëve

Beleri ne Tirane

Kryeministri Edi Rama ka anuluar takimin zyrtar me delegacionin e eurodeputetëve të Komitetit te Stabilizim Asociimit që po viziton Tiranën.

Në agjendën e ekipit të eurodeputetëve, pjesë e të cilëve është edhe Alfred Beleri, ishte parashikuar një takim me Ramën mëngjesin e sotëm në orën 10:00 por se ky takim është anuluar një ditë më parë nga Kryeministria për shkak të impenjimeve të Ramës.

Një prej eurodeputetëve pohoi për gazetarët se gjithsesi kryeministri Rama kishte gjetur kohën për t’i shkuar herët në mëngjes në ambientet e hotelit ku po qëndron ky delegacion.

Mbetet e paqartë nëse në këtë takim informal ishin të gjithë eurodeputetët, përfshirë edhe Fredi Belerin.

Vetë ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, tashmë pjesë e Parlamentit Europian, kur u pyet drejtpërdrejtë nga gazetarët, ngriti supet dhe nuk konfirmoi nëse ka shtrënguar duart me Ramën apo nëse ishte pjesë e takimit informal mes Kryeministrit dhe eurodeputetëve në hotel mëngjesin e sotëm.

Gjithashtu Kryeministria nuk konfirmon që të ketë pasur një takim mes Ramës dhe Belerit.