Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestrimin e apartamentit të Ilir Beqajt në Vlorë, në kuadër të procedimit penal nr.190 të vitit 2023, që ka të bëjë me abuzimet me fondet e SASPAC.
Bëhet fjalë për një apartament me sipërfaqe 90.8 m2, sipërfaqe verande 61.2 m2 dhe sipërfaqe të përbashkëta 13.7 m2, të ndodhura në zonën e Lungomares, dhe që janë vendosur të gjitha nën sekuestro preventive.
Në korrik 2024, agjentët e BKH-së kontrolluan këtë pronë të Beqajt në Vlorë, ku përfituan të dhëna të vlefshme për hetimin.
Sipas SPAK, kjo pronë dhe shpenzimet/investimet e kryera për mobilimin e saj nuk rezultojnë të jenë deklaruar sipas legjislacionit në fuqi nga Ilir Beqaj apo personat e lidhur me të.
Në vitin 2016, me kontratën e porosisë lidhur mes shoqërisë ndërtuese R…K… shpk dhe shtetasit I.F është prenotuar apartamenti në vlerën 6,700,000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekë.
Në vitin 2017 ka nisur investimi dhe mobilimi i apartamentit nga ana e Ilir Beqajt dhe bashkëshortes së tij, proces i cili ka zgjatur deri në fillim të vitit 2019. Sipas aktit të ekspertimit vlerësues, vlera totale e investuar shkon deri në 5,064,700 (pesë milionë e gjashtëdhjetë e katër mijë e shtatëqind) lekë.
Në Shkurt të vitit 2020 është lidhur kontrata e qerasë mes shtetasit I.F (lidhje e ngushtë shoqërore e Ilir Beqaj) dhe A.B (bashkëshortja e Ilir Beqaj). Pavarësisht këtij fakti ka rezultuar se Ilir Beqaj dhe familjarët e tij e kanë poseduar lirisht pronën dhe janë sjellë si pronarë të sendit të paluajtshëm deri në fillim të vitit 2019.
Të gjitha këto fakte në tërësinë e tyre vërtetojnë ekistencën e dyshimit të arsyeshëm mbi fiktivitetin e veprimit juridik, me qëllim fshehjen e origjinës së pronës.
Ish-ministri Ilir Beqaj është i arrestuar për abuzimet me fondet e SASPAC për periudhën kur ka qenë drejtues i Agjencisë së Koordinimit të Fondeve të Huaja.
Bëhet fjalë për abuzimet me të paktën 8 prokurime, mes të cilave një tender për ceremoninë e mbylljes së turizmit të qëndrueshëm, ku fondi i vënë në dispozicion ishte shumë i lartë. Sipas SPAK, kjo festë është zhvilluar në restorantin ku Beqaj dhe gruaja e tij ka pasur 15% të aksioneve, të cilat më pas i ka shitur apo dhuruar.
Hetimi për zbulimin e kësaj skeme nga SPAK nisi paralelisht me dosjen e sterilizimit ku ish-ministri i Shëndetësisë është gjithashtu në akuzë për shpërdorim detyre.