Durim Bami frikësohet për jetën e tij, nëse autoritetet në Dubai vendosin që ta rikthejnë në Shqipëri, në lidhje me disa akuza që rëndojnë ndaj tij për krime të ndryshme të rënda.
Mbrojtja e personit shumë të kërkuar në Shqipëri iu ka bërë me dije autoriteteve të Dubait të mos transferohet në Shqipëri, pasi janë të paktën 16 persona, brenda e jashtë burgut, që kërkojnë ta eleminojnë fizikisht.
Durim Bami është arrestuar sërish brenda pak muajsh në Dubai, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë.
Më 15 maj të këtij viti GJKKO i ka caktuar “arrest në burg” për disa vepra penale si “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
Durim Bami doli në bisedat e Sky teksa planifikonte vrasjen e Arben Ndokës, Tori Xheçukës dhe Erigers Mihasit.
Durim Bami u arrestua edhe në muajin qershor të këtij viti, por u la i lirë, pasi Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Tashmë pritet të shihet nëse do të arrihet nga Interpol Tirana ekstradimi i tij drejt vendit tonë.