Aktualitet Bujar Çela në SPAK, deputeti thirret për shpërthimin në Lushnje që i...

Bujar Çela në SPAK, deputeti thirret për shpërthimin në Lushnje që i mori jetën babë e bir

Deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela është paraqitur mëngjesin e sotëm në Prokurorinë e Posaçme.

Deputeti socialist është thirrur në SPAK për shkak të hetimeve që po kryen Prokuroria e Posaçme lidhur me shpërthimin në magazinën në pronësi të tij në Lushnje ku humbën jetën babë e bir dhe u plagosën 7 të tjerë.

Edhe deputeti Çela ishte mes të plagosurve në shpërthimin në atë magazinë, e cila rezultoi në tejkalim të lejes së ndërtimit.

Ndaj deputetit Çela rëndojnë 3 vepra penale dhe më konkretisht “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Ndërtimi i paligjshëm”, dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.

Përgjegjësi për atë ngjarje Prokuroria i ka atribuar edhe biznesmenit, Leonard Gjini të kontraktuar për zhvillimin e ndërtimeve në kapanon nga deputeti Çela.

Ndaj tij rëndon vepra penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, për të cilën Gjini u vu në pranga nga policia, arrest ky që u rikonfirmua këtë të enjte nga Gjykata e Fierit.

Po ashtu nën akuzë pas kësaj ngjarje janë vënë dhe 5 zyrtarë, 4 prej të cilëve punonjës të bashkisë ndërsa 1 tjetër i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Lushnje.