Bota “Spanja qan me ju”, Sanchez i drejtohet popullit pas përmbytjeve katastrofike

“Spanja qan me ju”, Sanchez i drejtohet popullit pas përmbytjeve katastrofike

Të paktën 62 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet katastrofike në Spanjë.

Autoritetet spanjolle druhen se ky numër mund të rritet akoma më shumë.

Valencia është zona që u godit më rëndë nga përmbytjet masive. 1000 ushtarë kanë dalë në terren, krahas forcave të emergjencave, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, në një adresim publik për kombin, tha se dhjetëra fshatra dhe qytete janë përmbytur, ndërsa shumë rrugë e ura janë shkatërruar.

“Në emër të qeverisë dhe të popullit spanjoll, përcjell solidaritetin dhe ngushëllimet tona për familjet e atyre që humbën jetën në këtë tragjedi. Për të gjithë ata që po kërkojnë të zhdukurit, Spanja qan me ju, dhe është prioriteti ynë absolut për t’ju ndihmuar”, tha Kryeministri Sanchez.

Shumë të tjerë janë të zhdukur dhe autoritetet spanjolle dyshojnë se numri i viktimave mund të rritet.

“Ne jemi të bashkuar dhe do të rindërtojmë rrugët”, theksoi Kryeministri i Spanjës.

Qeveria spanjolle ka krijuar një komitet të posaçëm për të bashkërenduar operacionin e kërkim-shpëtimit.