Kryedemokrati Sali Berisha i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të krijojë qeverinë teknike, të cilit i thotë se ka vetëm “një mundësi që të ndërpresë dhunën dhe terrorin ndaj demokratëve”.
Gjatë fjalës së tij në një deklaratë për mediat, kryetari i PD-së, Berisha shprehet se protesta e ditës së djeshme ishte vetëm 3 orë, por më tej mund të jetë 3 ditë apo javë.
Më tej, Berisha ka shtuar se ka 75 mënyra se si të përshkallëzohet mosbindja civile.
Sali Berisha: 3 orët e djeshme që narkoshteti u paralizua, ishin në fakt 3 orë çlirimi për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ato 3 orë, mbrëmë hynë në historinë epike të përpjekjes së shqiptarëve për liri dhe demokraci dhe beteja nuk ndalet Ne nuk ndalemi! Ne nuk tërhiqemi! E provuan dje dhe dështuan. Narkopolicia ndërhyri dje ndaj protestuesve paqësor. Narkopolicia kishte urdhër të qartë për të ndërprerë protestën. Por dështuan. Dështuan sepse mosbindja vazhdoi aq sa ishte paralajmëruar. Narkopolicia nuk na e shkurtoi dot as me 1 sekondë mosbindjen tonë civile. Edi Rama e di mirë. Që dje ishin vetëm 3 orë. Por herën tjetër do të jenë 3 ditë. 3 javë po të jetë nevoja. Dhe jo bllokim rrugësh. Por okupim të atyre institucioneve pa të cilat narkoshteti nuk do mund të funksionojë. Prandaj Edi Rama ke vetëm një mundësi! Së pari, të ndërpresë dhunën dhe terrorin ndaj demokratëve, se për çdo akt që po ndërmerr do të bëhet përgjegjës, po ai vetë.
Së dyti të krijojë qeverinë teknike. Të rikujtoj se kemi ezauruar vetëm 2 nga 77 mënyrat e mosbindjes civile. Kemi 75 mënyrë të tjera dhe do përshkallëzohen si në impakt dhe në kohë, si në destinacione ashtu dhe në revoltë dhe në zemërim. Prandaj krijo qeverinë teknike! Shqiptarët të sfidojnë! Pse ke frikë Edi Rama? Krijo qeverinë teknike, dhe të shohim kush i fiton zgjedhjet! Ja pse ka frikë Edi Rama nga vota e lirë. Ja pse nuk e do qeverinë teknike. Por qeveria teknike nuk është më kërkesë e opozitës. Është kusht. Ne qeverinë teknike do ta arrijmë. Thonin se është e pamundur që Partia Demokratike të bashkohej. Thonin se është e pamundur që Partia Demokratike të marrë flamurin e saj. Thonë sot, se qeveria teknike është e pamundur. Por ashtu siç fituam çdo betejë deri më sot, ju garantoj se do të fitojmë çdo betejë sot dhe në të ardhmen.
Në fund të fjalës së tij në deklaratë për mediat, Berisha thotë se opozita do të vazhdojë mosbindjen civile sa vjen më e fuqishme dhe më e përshkallëzuar.
Sali Berisha: Ne opozita jemi të vendosur t’u rikthejmë shqiptarëve votën e lirë, sepse sot opozita është në këmbë. Çdo opozitar e kupton, se është më mirë 7 muaj sakrifica, deri në zgjedhjet e ardhshme, se sa 4 vite të tjera me Edi Ramën. Sot çdo opozitar e kupton, se ne jemi shpresa e fundit e shqiptarëve dhe Shqipërisë. Prandaj sa të fitojmë betejën për qeveri teknike, Partia Demokratike niset pa frena drejt fitores së saj më të thellë, në historinë e saj si forcë politike. Shqipëria niset pa frena në drejtimin e begatisë, dukë lënë mbrapa mynxyrën e Rilindjes. Janë këto para që vidhen, këto grabitje që frenohen, me të cilat ne do vendosim minimumin jetik. Rritjen e pagave. Rritjen e pensioneve. Prandaj opozita do të vazhdoj mosbindjen e saj civile. Sa vjen më fuqishëm. Sa vjen më e vendosur. Sa vjen më e përshkallëzuar.