Policia e Shkodër ka përcjellë një njoftim shtesë për gjetjen e makinës e cila dyshohet se u përdor këtë të mërkurë në atentatin që la dy të vdekur e dy të plagosur.
Po ashtu, autoritetet sqarojnë se brenda makinës ku udhëtonin Hamza Lici dhe Arlind Bushati janë gjetur 3 pistoleta.
“Në vijim të informacionit të dhënë më parë për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, ju informojmë se: Nga kontrolli i ushtruar në automjetin që udhëtonin Ibrahim Lici dhe Arlind Bushati, u gjetën 3 armë zjarri (pistoleta). Ndërkohë shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të zonës për kapjen e autorëve, në fshatin Golem kanë konstatuar të djegur plotësisht një automjet tip “Range Rover” dhe 2 armë zjarri automatike. Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon punën për zbardhjen e rrethanave, sigurimin e provave me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, thuhet në informacionin shtesë të policisë.
Nga të shtënat e ndodhura pak para orës 16:00 mbeti i vrarë Hamza Lici dhe Flutura Basha. Ndërsa u plagosën rëndë dhe vijojnë të jenë në gjendje kritike Arlind Bushati dhe Bashkim Basha.
Ndonëse nuk është ende e qartë se cili ishte objektiv i atentatit, dinamika ishte e tillë: Autorët erdhën nga pas me makinë, teksa Lici e Bushati po lëviznin me mjetin e tyre. Hapën breshëri plumbash dhe u larguan.
Lici, i cili ishte shofer humbi kontrollin e mjetit dhe përplasi një motor që për fat të keq u gjet aty në momentin e ngjarjes. Në motor udhëtonin bashkëshortët Flutura dhe Bashkim Basha. Gruaja gjeti vdekjen në vendin e ngjarjes.