Politika “Progres-raporti i KE më pozitivi”, Rama për dialogun me opozitën: Është zgjedhja...

“Progres-raporti i KE më pozitivi”, Rama për dialogun me opozitën: Është zgjedhja e tyre për të vrarë veten politikisht

Kryeministri Edi Rama vlerësoi progresraportin e Komisionit Europian për Shqipërinë si “dokumentin më të mirë ndërkombëtar për Shqipërinë”, që sipas tij pasqyron realisht ku ndodhet vendi ynë.

“Është dokumenti më i plotë, më i detajuar dhe më i besueshëm ndërkombëtar që Shqipëria merr dhe mbi të cilin ne referohemi, fjali për fjali, në kuptimin e plotë të fjalës. Sepse është i vetmi raport ndërkombëtar që bazohet vetëm në fakte, jo në perceptime, jo në sondazhe dhe që i referohet fakteve nën dritën e parimeve dhe standardeve të funksionimit të institucioneve ndërkombëtare dhe shteteve anëtare”, tha Rama teksa mori progresraportin e vitit 2024 nga ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato.

“Më vjen shumë mirë që marrim raportin më pozitiv të të gjithë këtyre viteve dhe normalisht i tillë, sepse e tillë është dhe ecuria e vendit dhe konferenca e dytë ndërqeveritare afirmoi këtë”, shtoi ai.

Rama tha më tej se opozita ka përjashtuar veten nga dialogu politik dhe kjo nuk ka të bëjë me verimet e shumicës ndaj saj.

“Problemi është që kur duhet të vallëzosh, duhen dy vetë. Dhe nuk hidhet vallja nëse të dy nuk duan ta hedhin vallen. Kush është për dialog sot, është shumë e thjeshtë. Kush është i gatshëm të flasë. Kush nuk është për dialog është shumë e thjeshtë, kush nuk është i gatshëm të flasë”, tha Rama në një konferencë për mediat,

“Ndjehen të përjashtuar, më vjen shumë keq, është vetëpërjashtim absolut pa asnjë bazë faktike të lidhur me qëndrimet tonë. Është zgjedhja e tyre legjitime. Jemi vend i lirë, demokratik, secili bën zgjedhjen e vet. Edhe zgjedhja për të vrarë veten… politikisht, është legjitime, nuk e ndalojmë dot.

Kur ishim ne në opozitë, dërgonim letra për të folur, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Ndërkohë që tani situata është ndryshe. Por diskutimet bëhen përmjet gjuhës, jo përmes krahëve, këmbëve, gjokseve. Kjo është shumë e thjeshtë”, tha Rama.