Nuk është vetëm kryeministri hungarez që ka vëmendjen e ish-presidentit amerikan. Disa liderë të tjerë evropianë po përpiqen të fitojnë rolin e tyre urë lidhëse midis SHBA-së dhe Evropës nëse Donald Trump fiton një mandat të dytë.
Nga Edit Inotai dhe Claudia Ciobanu – BIRN
Hungaria do të presë takimin e pestë të Komunitetit Politik Evropian, një forum ndërqeveritar për diskutime për të ardhmen e Evropës, më 7 nëntor, i ndjekur nga një samit jozyrtar i krerëve të shteteve ose qeverive të BE-së më 8 nëntor.
Listat e të ftuarve për të dyja eventet përfshijnë politikanë me peshë si kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen – dhe, sipas burimeve për BIRN, Donald Trump madje ka marrë një ftesë nga kryeministri hungarez Viktor Orban, i vetmi lider i BE-së që haptazi mbështet fitoren e ish-presidentit amerikan në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen dy ditë më parë, më 5 nëntor.
Megjithëse analistët thonë se ka shumë pak gjasa që Trump të paraqitet personalisht në Budapest, ai mund t’u drejtohet udhëheqësve të BE-së në një mesazh të transmetuar nëse fiton zgjedhjet. Megjithatë, edhe një paraqitje virtuale në samit do të shihej si një provokim i drejtpërdrejtë nga shumë liderë evropianë, shumë prej të cilëve druhen se një tjetër presidencë e Trump do të ndërpresë mbështetjen për Ukrainën, do ta bëjë Evropën përgjegjëse për vetë mbrojtjen e saj dhe do të nisë luftëra tregtare me BE-në dhe Kinën.
Megjithatë, politikanët në shumë kryeqytete evropiane pranojnë pa dëshirë se është koha për t’u përgatitur për “skenarin e kiametit” dhe disa liderë po përpiqen të fitojnë pozicionin e tyre si një urë lidhëse midis SHBA-së dhe Evropës nëse Trump fiton një mandat të dytë.
Vëllezër në populizëm
Viktor Orban, si një mbështetës prej kohësh, i qëndrueshëm dhe i zëshëm i shokut të tij populist, është në krye të listës për të zënë atë rol.
“Ne do të hapim disa shishe shampanjë nëse Trump rikthehet në pushtet”, u premtoi kryeministri hungarez gazetarëve në konferencën e tij ndërkombëtare për shtyp në Strasburg të mbajtur më 8 tetor, përpara fjalimit të tij në Parlamentin Evropian.
Por ka konkurrencë në horizont. Italia dhe Polonia kohët e fundit kanë konkurruar për vëmendjen e Trump dhe për shkak të madhësisë dhe popullsisë së tyre, këto kombe mund të kenë më shumë peshë se një vend i vogël i Evropës Qendrore me vetëm 10 milionë banorë.
Megjithatë, qeveria në Budapest mbetet e sigurt dhe në qarqet e ngushta qeveritare shumë besojnë se Orban e ka fituar tashmë këtë garë.
Lideri populist dhe partia e tij Fidesz kanë investuar shumë në ndërtimin e marrëdhënieve me Trump dhe Partinë e tij Republikane, duke përfshirë zhvillimin e lidhjeve të ngushta me Fondacioni Heritage në Uashigton, i cili pritet të delegojë anëtarët kryesorë në çdo administratë të ardhshme Trump. Budapesti ka pritur gjithashtu për tre vitet e fundit edicionin e përvitshëm ndërkombëtar të CPAC, një mbledhje e republikanëve amerikanë dhe politikanëve të krahut të djathtë nga e gjithë bota.
Tani është koha për të korrur shpërblimet, besojnë mbështetësit e qeverisë. “Nëse Donald Trump zgjidhet, ambasadori i SHBA-së David Pressman mund të dërgohet të bëjë gati valixhet. Dhe presioni mbi Hungarinë do të ulet”, beson Zoltan Kiszelly, drejtor për analiza politike në Szazadveg, një think tank me qendër në Budapest.
“Në një kuptim më të gjerë, fitorja e Trump do të ketë gjithashtu peshë simbolike për Orban: ajo do të justifikonte misionin e tij të paqes në Rusi në korrik dhe do të rriste patjetër apelin e tij ndërkombëtar”, argumenton Kiszelly.
Orban është aktualisht i vetmi lider i BE-së që ka mbështetur hapur Trump-in, dhe edhe nëse ish-presidenti nuk shfaqet në eventet e nëntorit në Budapest – qeveria i shpërfilli kërkesat e BIRN për të komentuar – ka të ngjarë që të dy do të takohen së shpejti pas fitores zgjedhore, që mund të nënkuptojë se Orban do të jetë lideri i parë i BE-së që do të mirëpritet nga administrata e re.
Megjithatë, Kiszelly paralajmëron se do të krijohet shpejt një radhë liderësh evropianë për të vizituar Trump, nëse ai fiton: “do të ketë një garë për vëmendjen e tij”.
Analistë të tjerë në Budapest besojnë se një triumf republikan do t’i jepte një shtysë edhe forcave të ekstremit të djathtë dhe anti-imigracionit të Evropës, ndoshta duke e bërë grupimin politik të Orban-it Patriotë për Evropën në Parlamentin Evropian një opsion më tërheqës, ndoshta edhe duke tërhequr kryeministren italiane Giorgia Meloni, e cila drejton grupimin euroskeptik të quajtur Konservatorët dhe Reformistët Evropianë (ECR).
Giorgia në mendjen time
Megjithatë, për ironi, është ndoshta Meloni ajo që përbën kërcënimin më të madh për rolin e lakmuar të Orban si “pëshpëritësi i Trump”.
Kryeministrja italiane ka qenë prej kohësh një admiruese e Trump, duke marrë pjesë rregullisht në tubimet e republikanëve; në vitin 2020 ajo madje mori pjesë në një Mëngjes Lutjeje Kombëtare drejtuar nga Trump. Siç kujton Financial Times, ajo ishte plot elozhe për politikat e presidentit amerikan për të mbrojtur kufijtë e Amerikës dhe qëndrimin e tij mbi politikat e identitetit, duke premtuar se do ta sillte recetën e tij për të qeverisur Italinë.
“Meloni ka një plan A dhe një plan B. Ajo po e mban derën hapur si për Trump ashtu edhe për Kamala Harris”, thotë për BIRN Stefano Bottoni, një historian hungaro-italian që aktualisht jep mësim në Universitetin e Firences.
“Por personalisht, ajo është shumë mirënjohëse ndaj Joe Biden për hapjen e rrugës për pranimin e saj politik në Evropë”, shpjegon Bottoni, i cili vëren se Meloni udhëhoqi një parti të vogël të skajshme që thithi shumë forca politike më pak të civilizuara dhe administrata Biden bëri shumë për ta ndihmuar atë të fitonte njohje.
Thellë brenda saj, zemra e Melonit ndoshta është më shumë republikane sesa demokrate, por ajo ka mësuar të jetë pragmatike. “Në fakt, ajo ka idhull Elon Musk, i cili është personi kyç për Trump”, thotë Bottoni.
Meloni fitoi një nga çmimet prestigjioze të këtij viti Atlantic Council Global Citizens Aëards dhe zgjodhi Musk për t’ia dorëzuar çmimin. Miliarderi i teknologjisë e lavdëroi atë si “madje më të bukur nga brenda sesa nga jashtë”, ndërsa Meloni e quajti Musk një “gjeni të çmuar”.
Fotot e dyshes u bënë shpejt virale, duke nxitur spekulimet për një lidhje romantike, të cilat ata të dy i mohuan. Por dihet se ata janë në të njëjtën faqe politike, duke iu druajtur rënies demografike në botën e zhvilluar, gërryerjes së vlerave familjare dhe ndikimeve të migrimit.
Sa shumë duhet t’i mungojë Orban-it ish-presidentja e tij, Katalin Novak, e cila gëzonte të njëjtat marrëdhënie të përzemërta me Musk. Novak u detyrua të jepte dorëheqjen në shkurt për shkak të një falje të diskutueshme presidenciale që ajo i dha një bashkëpunëtori të një pedofili dhe tani mbetet kryesisht jashtë politikës.
Meloni ka një tjetër avantazh të madh ndaj Orban: ajo nuk është vetëm lidere e një vendi të G7 prej 40 milionë banorësh, por është gjithashtu një politikane me një zë të madh në Bruksel – një vend ku kryeministri hungarez nuk shihet me sy të mirë. “Ajo është brenda kampit, ndërsa Orban është jashtë”, thotë për BIRN një burim i afërt i qeverisë, i cili nuk pranoi t’i përmendej emri. “Nëse Trump kërkon një urë për në BE, ajo urë është Meloni.”
Edhe pse ish-presidenti amerikan i është referuar tashmë Melonit si një “partnere e besuar”, marrëdhëniet dypalëshe midis SHBA-së dhe Italisë mund të jenë të trazuara në fillim.
“Nëse Trump këmbëngul në pragun 2 për qind të shpenzimeve të mbrojtjes, kjo do t’i ndërlikonte gjërat për Melonin. Kontributi i Italisë në NATO mezi kap 1.5 për qind e PBB-së. Demokratët ndoshta nuk do ta shtynin aq fort, kështu që ajo mund të jetë më mirë me Harris-in”, thekson Bottoni.
Edhe Polonia nuk mbetet pas
Në këtë drejtim, Polonia është një partner shumë më i përshtatshëm për Trump. Polonia tashmë shpenzon më shumë se 4 për qind të PBB-së së saj për ushtrinë dhe SHBA-ja është përfituesi më i madh i prokurimeve ushtarake polake. Bashkëpunimi mes dy vendeve po përparon edhe në sektorin e energjisë bërthamore.
“Polonia përmendet shpesh nga Donald Trump si një shembull pozitiv në kontekstin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe angazhimit për sigurinë e përbashkët, në kontrast me vendet e tjera evropiane”, shkroi Ministria e Jashtme polake në përgjigje të pyetjeve të BIRN. “Prandaj ne presim që bashkëpunimi me administratën e re të mundshme republikane në këtë fushë të vazhdojë.”
Megjithatë, Varshava ka qenë e kujdesshme që të mos mbështesë hapur asnjë nga kandidatët. “Shtetet e Bashkuara do të mbeten aleati ynë më i rëndësishëm, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale. Ne jemi të hapur dhe të gatshëm për të bashkëpunuar si me demokratët ashtu edhe me republikanët”, shtoi Ministria e Jashtme.
Lukasz Pawlowski, një specialist në politikën amerikane dhe bashkë-prezantues i American Podcast, paralajmëron se askush nuk mund të përgatitet plotësisht për lëvizjet potencialisht spontane të Trump, kështu që Evropa duhet të investojë më shumë për t’u bërë më elastike në çështjet e mbrojtjes.
Pawlowski, i cili aktualisht punon si strateg për Ministrinë e Jashtme të Polonisë, por po fliste për BIRN në cilësinë personale, thotë se Ministri i Jashtëm polak Radoslaw Sikorski është takuar me politikanë amerikanë nga të dyja anët, duke përfshirë ata që potencialisht mund të jenë pjesë e një administratën e ardhshme Trump.
“Polonia u ka theksuar njerëzve se Varshava nuk është e lirë për sa i përket mbrojtjes dhe se ne i trajtojmë seriozisht kërcënimet që vijnë nga lindja”, thotë Pawlowski. “Por pavarësisht se kush fiton në SHBA, Evropa do të duhet të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj.”
Frika më e madhe në Poloni është se Trump do të tërheqë mbështetjen ushtarake nga Kievi, apo edhe nga NATO-ja krejtësisht, gjë që do të çonte në një fitore ruse në Ukrainë.
Karol Szulc, një shkencëtar politik në Universitetin e Wroclaw, i specializuar në politikat krahasuese të SHBA-së dhe BE-së, është ai që shqetësohet për një skenar të tillë. “Trump nuk është burrë shteti, ai sillet si një fëmijë i llastuar. Në rastin e fitores së presidencës nga Trump, ajo që do të ketë rëndësi nuk është ajo që ai thotë personalisht, por administrata që ai zgjedh”, tha ai për BIRN.
“Unë nuk pres që të gjithë të jenë fanatikë, kështu që ne mund të shpresojmë ende se ata do të bëjnë gjënë e duhur”, thotë ai, megjithëse pranon se me Trump si president, ka një shans më të madh që Ukraina të humbasë luftën dhe se vetë Polonia do të sulmohet nga Rusia pas një dekade.
Bashkëbiseduesi i Polonisë me Trump është presidenti aleat i Ligjit dhe Drejtësisë, Andrzej Duda. Të dy shijuan një darkë private në Nju-Jork në prill dhe në një intervistë të fundit për kanalin televiziv polak të krahut të djathtë Republika, Trump e përshkroi Dudën si një “mik”.
Ministria e Jashtme polake nuk përjashton mundësinë që “kryeministri Donald Tusk dhe presidenti Duda të bien dakord për disa veprime të përbashkëta përballë administratës republikane, veçanërisht për çështjet që lidhen me sigurinë në rajonin tonë ose mbështetjen për Ukrainën për të cilat ka një konsensus ndërpartiak në Poloni”.
Por analisti politik Szulc mbetet skeptik për atë që Duda mund të arrijë realisht. “Ndoshta mund të ndihmojë nëse Duda i thotë diçka Trump-it për nevojën për të mbështetur Ukrainën, por nuk mendoj se Duda është aq i guximshëm për ta bërë këtë – ai është i parëndësishëm”, thotë Szulc, duke shtuar se në çdo rast Duda do ta lërë postin në maj 2025.
Pozicioni i Polonisë për ruajtjen e mbështetjes së palëkundur për Ukrainën ndahet edhe nga Italia, gjë që e bën qasjen shumë më ambivalente, ndoshta edhe pro-ruse, të Orban-it ndaj luftës më në përputhje me atë të Trump. Ish-presidenti tha në shtator se do të punonte me Ukrainën dhe Rusinë për t’i dhënë fund luftës së tyre sa më shpejt nëse ai bëhet president; analistët thonë se kushtet e çdo marrëveshje ka të ngjarë të favorizojnë Rusinë.
Megjithatë, politika pro-kineze e Orban e vë atë në kontrast me Trump, i cili ka treguar se do të rifillonte luftën tregtare që administrata e tij zhvilloi gjatë mandatit të tij të parë. Trump ka propozuar një tarifë 60 për qind për mallrat nga Kina dhe një tarifë deri në 20 për qind për çdo gjë tjetër që importon SHBA-ja, si një mënyrë për të ruajtur më shumë vende pune në fabrikat në SHBA, për të tkurrur deficitin federal, për të ulur çmimet e ushqimeve dhe për të lejuar qeveria të subvencionojë kujdesin ndaj fëmijëve.
As Orban, as Meloni dhe as Duda, me sa duket, nuk e ka të gjithë vëmendjen e Trump.