Aktualitet Atentati mafioz me tri viktima në Shkodër, shpallen në kërkim dy anëtarë...

Atentati mafioz me tri viktima në Shkodër, shpallen në kërkim dy anëtarë të grupit Bajri

Policia ka shpallur në kërkim dy persona në lidhje me masakrën e 30 tetorit në Dobraç të Shkodrës, ku tre persona mbetën të vrarë dhe një tjetër u plagos.

Në kërkim për atentatin janë shpallur shtetasit Izmir Sakica dhe Samuel Troshani.

Sakica dhe Troshani, janë anëtarë të grupit Bajri dhe dyshohen gjithashtu për një tjetër përplasje të armatosur të ndodhur më 23 gusht në Bushat të Shkodrës, ku pati shkëmbim zjarri me vëllezërit Andrea dhe Aleksandër Prendi.

Forcat RENEA kanë nisur kontrollet që prej 30 tetorit, duke zhvilluar operacione intensive në disa zona të qytetit.

Megjithatë, kërkimet e deritanishme nuk kanë dhënë ende rezultate konkrete. Gjatë ditës së sotme, më 2 nëntor, hetuesit janë fokusuar në marrjen e pamjeve nga kamerat e sigurisë, duke zgjeruar zonën e kërkimit në disa lagje periferike, përfshirë “Kirasin” dhe bypass-in e Shkodrës.

Grupi hetimor po përpiqet të gjurmojë lëvizjet e makinës “Range Rover Sport”, përpara atentatit.

Atentati ndodhi në zonën e Dobraçit, në rrugën Shkodër-Koplik, ku në orën 15:50, persona të paidentifikuar kanë hapur zjarr ndaj një automjeti me targa kroate.

Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, u ekzekutua në vend, ndërsa Arlind Bushati, djali i ish-kandidatit të PD për kryebashkiak, Xhemal Bushatit, ndërroi jetë disa orë pas ngjarjes në spitalin e Shkodrës.

Kalimtarja Flutura Basha, e cila po lëvizte me motor bashkë me bashkëshortin e saj, Bashkim Basha, gjithashtu u vra në sulm. Bashkëshorti i saj ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

Autorët e atentatit dyshohet se janë afruar paralelisht me makinën ku ndodheshin Hamza Lici dhe Arlind Bushati, duke hapur zjarr me breshëri plumbash për rreth 150 metra në lëvizje.

Dyshohet për tre atentatorë, dy në rolin e ekzekutorit dhe një në drejtimin e mjetit.

Ndërkohë, hetuesit po presin rezultatet e analizës shkencore të armës së tretë që u gjet në automjetin e viktimave, përmes së cilës do të përcaktohet nëse shenjat e gjurmëve të gishtërinjve ose gjakut i përkasin Ibrahim Licit.

I shumëkërkuari dyshohet të ketë qenë i pranishëm në vendngjarje sipas një videoje amatore të publikuar pas ngjarjes.

Konfirmimi i pranisë së Licit në automjet do të ndryshonte tërësisht drejtimin e hetimeve dhe do të ndihmonte në identifikimin e shënjestrës kryesore të këtij atentati të rëndë.