Përmbytjet më vdekjeprurëse në historinë moderne të Spanjës kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 211 personave dhe dhjetëra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, katër ditë pasi shirat e rrëmbyeshëm përfshinë rajonin lindor të Valencias, tha të shtunën Kryeministri Pedro Sanchez.
Në një deklaratë televizive, Sanchez tha se qeveria po dërgonte 5,000 trupa të tjera të ushtrisë për të ndihmuar në operacionet kërkim-shpëtimit si dhe për pastrimin e zonave të përmbytura, krahas 2,500 ushtarëve të dislokuar tashmë.
“Është operacioni më i madh i Forcave të Armatosura të Spanjës në kohë paqeje”, tha Sanchez. “Qeveria do të mobilizojë të gjitha burimet për aq kohë sa të jetë e nevojshme“, shtoi ai.
Kjo është katastrofa më e rëndë që ka goditur Evropën që nga përmbytjet e vitit 1967, kur të paktën 500 persona humbën jetën në Portugali.
Shpresat për gjetjen e të mbijetuarve u rritën kur grupet e shpëtimin gjetën një grua gjallë, pas tre ditësh bllokuar në një park makinash në Montcada të Valencias. Banorët shpërthyen në duartrokitje kur shefi i mbrojtjes civile Martin Perez njoftoi lajmin.
Shkencëtarët thonë se fenomenet ekstreme të motit po bëhen më të shpeshta në Evropë dhe gjetkë, për shkak të ndryshimeve klimatike. Meteorologët mendojnë se ngrohja e Mesdheut, luan një rol kyç duke i bërë shirat më të rrëmbyeshëm./VOA