Në takimin me shqiptarët e Greqisë në Selanik, kryeministri Edi Rama ka thënë se gazetari Blendi Fevziu është e vetmja opozitë që ka mbetur në Shqipëri, me të cilën mund të bëjnë debat teksa ka kujtuar një pjesë nga emisioni “Opinion”, kur ishte i ftuar së fundmi.
Edi Rama: Ju e keni parë që sa herë më marrin në pyetje ata që duhet të ishin zëdhënës të opinionit publik, por për fat të keq janë zëdhënës axhendash të ndryshme, më nxjerrin para lista emrash, apo siç ndodhi me të vetmen opozitë që na ka mbetur, me të cilën mund të bëjmë debat, me Blendi Fevziun. Më nxjerr një ekspozitë me fotografi për të më thënë që unë duhet të ndihem përgjegjës moralisht pse drejtësia ka hetuar, po heton, ka akuzuar, po akuzon apo ka dënuar individë të lidhur me pushtetin politik të PS-së.
Në fakt, e kundërta ndodh me mua. Nuk mund të më vijë mirë për arsye personale, por për arsye të kontratës që kam me shqiptarët, unë jam krenar që me një vizion shtetbërës, PS plotësisht të vetëdijshëm, të gjithë së bashku ja hoqi duart e pushtetit politik drejtësisë nga qafa dhe ja dha të gjithë lirinë pa parë majtas apo djathtas, por vetëm drejt.
Përgjegjësia ime do të ishte pasi që ju kam kërkuar votën për të bërë një Reformë në Drejtësi, sot do të isha këtu dhe nuk do të kërkoja një fakt kundër korrupsionit. Faktet reale i keni para syve dhe nuk ju mjaftojnë disa minuta për t’i numëruar, unë ndihem moralisht shumë mirë kur ju them se kjo është një tjetër arsye madhore pse vota e pranverës së ardhshme duhet t’i garantojë Shqipërisë udhëheqjen e PS në mënyrë që kjo që ka filluar me drejtësinë të garantohet.
Sot askush nuk është i paprekshëm. Cilido nga radhët tona nuk mbrohet duke i hedhur mbi kokë flamurin e PS-së. Kjo është shprehja më shembullore ndaj të gjithë atyre që na e kanë dhënë votën sepse kemi bërë atë që kemi thënë. Ju kërkoj që duke i njohur hapat e historisë tonë të përbashkët, duke e ditur se sa shumë na është dashur për të ardhur deri më këtu. Askush të mos gabojë duke kujtuar se kjo që kemi arritur nuk kthehet përmbys nga e para, siç ka ndodhur.