Detaje të reja janë zbuluar nga masakra me 4 viktima në Dobraç të Shkodrës, ngjarje e ndodhur më 30 Tetor.
Grupi hetimor ka zbuluar se makina e autorëve e ka ndjekur “Benz”-in që lëvizte Hamza Lici, Arlind Bushati dhe një person i tretë që dyshohet se mund të jetë Ibrahim Lici, nga unaza perëndimore e Shkodrës, lagja “Kiras”. Këto detaje janë mundur të përftohen nga hetuesit nga gjurmimi i kamerave të sigurisë.
Makina “Range Rover” e autorëve dyshohet se ka dalë nga një shtëpi e personave me të cilët ka konflikt fisi Lici. Megjithatë për hetuesit nuk ka kamera sigurie për ta vërtetuar me saktësi këtë fakt.
Mjeti “Range Rover Sport” është konfirmuar nga ekspertiza se është vjedhur në Durrës, e denoncuar nga pronarët më 17 Prill të këtij viti. Numri i shasisë është arritur të rikuperohet nga ekspertët pavarësisht se autorët arritën ta digjnin plotësisht. Hetimet janë përqendruar në zbulimin e hajdutëve të mjetit.
Sakaq, Policia e Shkodrës akoma nuk e ka të konfirmuar se Ibrahim Lici ishte në makinë në momentin e atentatit, pasi rezultatet e analizave të materialeve biologjike nuk kanë mbërritur akoma, por dyshimet janë të forta për praninë e tij.
Kontrollet në disa klinika private kanë rezultuar pa sukses, pasi hetuesit dyshojnë se në këtë ngjarje Ibrahim Lici ka mbetur i plagosur dhe mund të ketë kërkuar ndihmë mjekësore.
Kujtojmë se nga ky atentat humbën jetën Hamza Lici, Arlind Bushati dhe çifti i bashkëshortëve Bashkim e Flutura Basha, të cilët po kalonin rastësisht me motor.