Në Prokurorinë e Posaçme ka mbërritur këtë të martë prokurorja belge Ann Fransen. Ajo do të takohet me kreun e SPAK, Altin Dumani dhe prokurorë të tjerë.
Autoritetet belge dhe SPAK kanë disa skuadra të përbashkëta hetimore për çështje të krimit të organizuar. Po ashtu, drejtësia belge ka vendosur në dispozicion të SPAK të dhëna nga aplikacionet SkyECC dhe EncroChat.
Vizita e saj në Tiranë vjen një javë pasi Gjykata Brukselit shpalli 119 dënime të martën për procesin “Encro”, një nga rastet më të mëdha të trafikut të narkotikëve në historinë e Belgjikës, me dënime që variojnë deri në 17 vjet burg dhe konfiskime masive. Pas një procesi që zgjati 16 muaj, 115 individë dhe katër kompani u shpallën fajtorë për akuza që përfshijnë pjesëmarrjen në një organizatë kriminale, trafikimin e narkotikëve dhe armëve, si dhe përpjekjet për shantazh dhe rrëmbim.
Në mesin e të dënuarve, të kombësive të ndryshme ka edhe shtetas shqiptarë dhe kosovarë, përveç se kolumbianë, belgë, ukrainas apo nga Afrika e veriut. Njëri prej tyre, shqiptari Eridan Guerrero Munoz, i cili u dënua për drejtimin e laboratorëve të kokainës në Belgjikë, bë i famshëm në mediat belge me deklaratën e tij “Luajta dhe humba”.
Hetimi i quajtur “Encro” u bazua në deshifrimin e komunikimeve të koduara në EncroChat dhe Sky ECC, që çoi në zbardhjen e aktiviteteve të një organizate të gjerë kriminale. Gjithsej, u dhanë rreth 700 vite burg, ndërsa konfiskimet e urdhëruara arrijnë në 65 milionë euro. Këto konfiskime përfshijnë pasuri të paluajtshme të investuara nga të ardhurat nga trafikimi i drogës.