Aktualitet Morën para për provimet, Gjykata vlerëson të paligjshëm arrestimin e pedagogëve. Çështja...

Morën para për provimet, Gjykata vlerëson të paligjshëm arrestimin e pedagogëve. Çështja i kalon SPAK-ut

Gjykata e Elbasanit ka liruar nga burgu pedagogët e universitetit Aleksandër Xhuvani, të arrestuar 3 ditë më parë.

Gjykata e ka cilësuar të paligjshëm arrestimin e tyre, duke vendosur masën detyrim paraqitje, si edhe pezullim nga detyra. Ndërkohë, çështja i kaloi SPAK-ut.

Ndërsa për sekserin Gazmend Hodaj u dha masa arrest me burg.

Policia e Elbasanit arrestoi të premten 6 pedagogë në fakultetin e Shkencave të Edukimit në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, ndërsa njëra prej tyre është ende në kërkim. Në pranga ka rënë edhe sekseri, i cili mori lekët për t’ua dhënë pedagogëve.

Pedagogët akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën, duke kaluar në mënyrë të parregullt në provime një studente 31 vjeçe, me qëllim për të përfituar shuma parash të cilat i ka marrë shtetasi Gazment Hodaj, i cili kishte rolin e sekserit.

Nga kontrolli në zyrat e pedagogëve u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale tezat e provimeve të studentes” njofton policia e Elbasanit. Të 7 pedagogët janë të pezulluar nga detyra.

Nga hetimet qe kane nisur gjate sezonit të vjeshtës dyshohet se pedagogët përfitonin nga studentët shuma parash që varionin nga 150 deri në 500 euro.