Bota Netanyahu shkarkon ministrin e Mbrojtjes Gallant: Mes nesh ka krizë besimi

Netanyahu shkarkon ministrin e Mbrojtjes Gallant: Mes nesh ka krizë besimi

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka shkarkuar ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant, duke thënë se mes tyre ekziston një “krizë besimi”.

Netanyahu tha në një deklaratë se besimi i tij te Gallant ishte “gërryer” muajt e fundit.

Ministri i Jashtëm Israel Katz do të zëvendësojë Gallant, shtoi Netanyahu, raporton BBC.

Gallant deklaroi në rrjetet sociale se “siguria e shtetit të Izraelit ishte dhe do të mbetet gjithmonë misioni i jetës sime”.

Në një deklaratë, Netanyahu tha: “Në mes të një lufte, më shumë se kurrë, kërkohet besim i plotë midis kryeministrit dhe ministrit të mbrojtjes.”

“Fatkeqësisht, edhe pse në muajt e parë të fushatës ka pasur një besim të tillë dhe ka pasur një punë shumë të frytshme, gjatë muajve të fundit ky besim është zbehur mes meje dhe ministrit të Mbrojtjes”.

Netanyahu tha se “u zbuluan boshllëqe të rëndësishme midis meje dhe Gallantit në menaxhimin e fushatës”.

“Këto boshllëqe u shoqëruan me deklarata dhe veprime që bien ndesh me vendimet e qeverisë dhe vendimet e kabinetit”, shtoi ai.

Netanyahu tha se ai “bëri shumë përpjekje për të kapërcyer këto boshllëqe, por ato vazhduan të zgjeroheshin”.

Gallant postoi vetëm një mesazh të shkurtër në X, duke thënë se siguria e Izraelit “ishte dhe do të mbetet gjithmonë misioni i jetës sime”.

Katz do të pasojë Gallant si ministër i mbrojtjes, ndërsa Gideon Sa’ar bëhet ministri i ri i Jashtëm, tha Netanyahu.