Udhëheqësit botërorë nxituan të urojnë republikanin Donald Trump pasi ai deklaroi fitoren ndaj Zëvendës Presidentes Demokratike Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, të cilat shfaqin një rikthim politik të Donald Trump, pas largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë katër vite më parë. Reagim pati nga Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.
“Unë e vlerësoj përkushtimin e Presidentit Trump për qasjen “paqe përmes forcave” në çështjet globale, tha Presidenti i Ukrainës.
“Urime për rikthimin më të madh të historisë! Kthimi juaj historik në Shtëpinë e Bardhë ofron një fillim të ri për Amerikën dhe një riangazhim të fuqishëm ndaj aleancës së madhe midis Izraelit dhe Amerikës. Kjo është një fitore e madhe!” shkroi Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu në X.
“Gati për të punuar së bashku ashtu siç dinim të bënim gjatë katër viteve. Për më shumë paqe dhe prosperitet”, shkroi Macron në X.
I veçantë ishte urimi i Dmitry Medvedev, Kryetar i Këshillit të Sigurisë në Rusi.
“Trump ka një cilësi të dobishme për ne: si një biznesmen deri në palcë, atij nuk i pëlqen të shpenzojë para për varëse të ndryshme dhe aleatë budallenj, në projekte të këqija bamirësie dhe në organizata ndërkombëtare të pangopura”, shkroi Medvedev, në llogarinë e tij zyrtare në Telegram.
Ndërkohë aleati i Trump në Europë, Viktor Orban u kujdes që mesazhin e urimit t’ia jepte me anë të një videoje.
“Unë shoh një fitore të shndritshme, ndoshta rikthimin më të madh të historisë së politikës perëndimore”, e cilësoi Orban fitoren e Donald Trump.
Të vetmit të pakënaqur mbeten kinezët, të cilët nuk kanë pranuar të komentojnë për fitoren e Trump, të cilët e cilësojnë si një çështje të brendshme.