Aktualitet Hiqej si prokuror i SPAK për të zhvatur para, arrestohet 48-vjeçari në...

Hiqej si prokuror i SPAK për të zhvatur para, arrestohet 48-vjeçari në Berat

Një 48-vjeçar nga Tirana ra në pranga e autoriteteve ligjzbatuese në qytetin e Beratit. Ai mashtronte me qëllim zhvatjen e parave duke u hequr si prokuror. E jo një prokuror i zakonshëm, por hiqej si pjesë e Prokurorisë së Posaçme, SPAK.

Sipas një njoftimi të prokurorisë së Beratit, 48-vjeçari Alban Muço, i cili u arrestua në flagrancë, “u paraqit në zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) në këtë qytet duke pretenduar se ishte prokuror në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe premtonte të ndërhynte në zgjidhjen e çështjeve apo problematikave kundrejt parave”.

Nga hetimet rezultoi se Muço, “me precedentë kriminalë dhe i dënuar më parë për veprat penale “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” dhe “Mashtrimi”, iu merrte qytetarëve të ndryshëm para duke pretenduar se ishte prokuror në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion”.

48-vjeçari akuzohet sërish për veprat penale “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” dhe “Mashtrimi”.