Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Silvinjo, doli në një konferencë për mediat teksa Shqipëria bëhet gati të nisë përgatitjet për dy sfidat e Ligës së Kombeve ndaj Çekisë dhe Ukrainës.
Grupi është shumë i fortë sipas brazilianit dhe gjithçka mund të ndodhë. Avantazhi jonë për Silvinjon është fakti se luajmë në shtëpinë tonë, para tifozëve kuqezi.
“Mendoj se si çdo ekip tjetër në këtë grup, mund të jemi të parët, çdo gjë mund të ndodhë në këtë grup. Të katërta ekipet kanë qenë në Europian. Janë ekipe me lojtarë cilësorë, të fortë, ekipe ku lojtarët luajnë në Premier League, në Bundesligë. Natyrisht kemi një avantazh të vogël sepse luajmë në shtëpi, por gjithsesi çdo gjë është e hapur”, tha Silvinjo.
Silvinjo shpjegoi edhe pse këtë radhë janë ftuar plot 28 lojtarë.
“Kemi marrë 28 lojtarë, po 5 prej lojtarëve tanë janë me një karton të verdhë. Menduam meqë po luajmë në shtëpi, këtu kemi një qendër sportive shumë të mirë, mendoj të marrim maksimumin prej lojtarëve”, tha ai.
Për Silvinjon dhimbja e kokës për zgjedhjet e shumta që ka në sulm është një gjë shumë e mirë.
“Sa më shumë lojtarë të kemi më shumë mundësi na shtyn përpara që të ecim më mirë”, tha ai.
Trajneri parashikon ndeshje të vështira, por siguron që kuqezinjtë do të hyjnë në fushë për të dhënë zemrën dhe shpirtin në këto dy sfida.
“Nuk di ta them momentalisht. Do të jenë ndeshje të vështira. Është një grup i vështirë dhe do duhet të përgatitemi shumë mirë. Ajo që mund të siguroj është me zemër dhe me shpirt duhet të provojmë dhe të bëjmë mirë ndërkohë që kemi shumë njerëz që na mbështesin gjithmonë”, tha ai.
Kujtojmë se Shqipëria luan më 16 Nëntor ndaj Çekisë ndërsa më 19 Nëntor ndaj Ukrainës. Të dyja sfidat do të luhen në Air Albania.