Aktualitet Agjencia e Pasurive të Sekuestruara merr në administrim 102 kontejnerët me “mbetjet...

Agjencia e Pasurive të Sekuestruara merr në administrim 102 kontejnerët me “mbetjet e rrezikshme”

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara ka marrë në dorëzim 102 kontejnerët, të cilët u shkarkuan ditën e sotme nga anija e ankoruar në Portin e Durrësit.

Në një njoftim për mediat, Ministria e Brendshme thotë se “i gjithë procesi është realizuar përmes një plani të detajuar masash, edhe në zbatim të urdhrit të Prokurorisë Durrës për zbarkimin dhe ruajtjen e 102 kontejnerëve të anijes “Moliva”, në një vend të sigurt, larg zonave të banuara, si edhe duke respektuar në mënyrë rigoroze kushtet e sigurisë fizike, mjedisore dhe shëndetësore”.

Të përfshirë në planin e masave janë një sërë institucionesh, thuhet në njoftim, ku përveç punonjësve të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, në operacion kanë marrë pjesë edhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit, Autoriteti Portual Durrës, Kapiteneria e Portit Durrës, Dogana Durrës, Drejtoria e Hetimit Doganor, si edhe Prokuroria e Durrësit.

“Pas shkarkimit të kontejnerëve nga anija, ato janë transportuar në masa rigoroze sigurie në destinacionin final ku do të mbahen në monitorim dhe administrim nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Çdo veprim është regjistruar dhe dokumentuar përmes procesverbalëve dhe kontejnerët janë kontrolluar, skanuar dhe verifikuar, që nga gjendja e tyre e jashtme, deri tek të gjithë elementët e tjerë të sigurisë”, thuhet më tej në njoftimin e Ministrisë.

Anija “Moliva”, e dyshuar se transportonte mbetje të rrezikshme me një ngarkesë prej 102 kontejnerësh, u ankorua mëngjesin e kësaj të premteje në portin e Durrësit. Kontejnerët u depozituan në një zonë larg banesave në Porto Romano, ku do të monitorohen 24 orë nga policia dhe me kamera.