Katari ka vendosur të pezullojë rolin e ndërmjetësuesit midis Hamasit dhe Izraelit, thanë zyrtarët të shtunën.
Megjithatë, ka të ngjarë që Katari të bëhet sërish pjesë e përpjekjeve nëse të dyja palët tregojnë ‘vullnet serioz politik’ për të arritur një marrëveshje për luftën në Gazë, sipas një zyrtari.
Një burim diplomatik, me njohuri për këtë çështje, tha se Izraeli dhe Hamasi, së bashku me Shtetet e Bashkuara, u informuan pas marrjes së vendimit nga Doha. Ky burim shtoi se ‘si pasojë e vendimit, zyra politike e Hamasit nuk i shërben më qëllimit për të cilin ishte hapur’ në Katar.
Të dy zyrtarët folën në kushte anonimiteti.
Hamasi nuk ka pranuar asnjë ultimatum për t’u larguar nga Katari. Zyra e kryeministrit izraelit nuk komentoi për vendimin.
Njoftimi vjen pas zhgënjimit në rritje lidhur me mungesën e përparimit drejt një marrëveshje armëpushimi.
Ndërkohë, gjatë tre sulmeve të veçanta izraelite u vranë të paktën 16 njerëz, mes tyre gra dhe fëmijë, në Gazë të shtunën, thanë zyrtarët mjekësorë palestinezë. Ndërkaq, Izraeli njoftoi arritjen e ngërkesës së parë me ndihma humanitare pas disa javësh në Gazën veriore.
Ofensivat e Izraelit vazhduan edhe kundër militantëve libanez të Hezbollahut. Ushtria izraelite tha se goditi qendrat e komandës dhe infrastrukturën ushtarake të grupit militant gjatë natës, në periferitë jugore të Bejrutit.