Miliarderi amerikan dhe manjati i teknologjisë, Elon Musk është përfshirë në marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët në Shqipëri.
Duke marrë shkas nga vendimi i fundit i Gjykatës së Romës që ktheu për herë të dytë pas në Itali grupin e emigrantëve të huaj që ishin vendosur në kampin e Gjadrit, Musk ka reaguar në rrjetin social X duke iu përgjigjur një komentuesi.
Në përgjigjen e tij, Elon Musk ka kritikuar gjyqtarët që kanë marrë këtë vendim, i fundit pasditen e së hënës.
“Këta gjyqtarë duhet të largohen”, ka shkruar Elon Musk në rrjetin social X.
Një ditë më parë, Gjykata e Romës urdhëroi kthimin në Itali të 7 emigrantëve që ishin vendosur në Gjadër sipas marrëveshjes Rama-Meloni.
Gjykata e Romës e konsideroi të paligjshëm dërgimin në Gjadër të 7 emigrantëve dhe dërgoi për interpretim në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Europian dekretin që nxorri Qeveria Italiane për ripërcaktimin e vendeve të sigurta.
Ky është vendimi i dytë i po kësaj gjykate kundër qeverisë Meloni, pas atij të 18 Tetorit ku urdhëroi kthimin në Itali të 12 emigrantëve të parë të mbërritur në Shqipëri, sipas marrëveshjes së firmosur mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane vitin e shkuar.