Një polic për çdo pesë tifozë. Të enjten në mbrëmje, ndeshja e futbollit Francë-Izrael do të mbrohet nga 4,000 agjentë dhe masa të jashtëzakonshme sigurie, të lehtësuara edhe nga biletat e pakta të shitura. Maksimumi vetëm 20,000 spektatorë priten në “Stade de France”, i cili mund të mbajë 80,000 spektatorë.
Pjesëmarrje e dobët, sepse sigurisht që nuk është një ndeshje thelbësore në një turne, Ligën e Kombeve, e cila tashmë ka pak entuziazëm dhe gjithashtu, sepse autoritetet izraelite kanë ftuar qytetarët e tyre të braktisin stadiumin, pas “gjuetisë ndaj hebrenjve” në rrugët e Amsterdamit, me rastin e ndeshjes Ajaks-Makabi Tel Aviv.
Ditët e fundit në Francë pati nga ata që propozuan zhvendosjen e ndeshjes jashtë Parisit. Për shembull, deputeti “lepenist”, Julien Odoul, i cili sugjeroi mbajtjen e ndeshjes në Korsikë, “ku nuk ka antisemitizëm”.
Deputeti i së majtës radikale, Louis Boyard bëri thirrje që ndeshja të anulohet dhe Izraeli të përjashtohet nga UEFA.
Megjithatë, pas ngjarjeve në Amsterdam, qeveria franceze e cilësoi ndeshjen një mundësi për të demonstruar se Franca nuk i dorëzohet antisemitizmit.
Kjo është arsyeja pse mobilizimi është i jashtëzakonshëm dhe kontrollet do të dyfishohen edhe jashtë “Stade de France”, në periferi të Parisit, ku në të kaluarën – me rastin e finales së Ligës së Kampionëve 2022 midis Liverpulit dhe Real Madridit – kishte pasur skena të dhunës dhe plaçkitjeve, ku policia nuk arriti të kontrollojë të rinjtë në periferi.
Mes spektatorëve, edhe pse të pakët në numër, do të jetë edhe presidenti i Republikës Franceze, Emmanuel Macron, kryeministri Michel Barnier dhe ish-presidenti, Nicolas Sarkozy.
Kështu, Macron do të përpiqet t’i bëjë njerëzit të harrojnë një mungesë që komuniteti hebre nuk e vlerësoi, atë në protestën kundër antisemitizmit më 12 nëntor të një viti më parë.
Me atë rast, thuhet me këshillën e humoristit kontrovers, Yassine Belattar, Macron ka preferuar të mos marrë pjesë “për të mos përçarë francezët”. Këtë herë presidenti do të jetë në tribuna “për të dërguar një mesazh vëllazërimi”.
Ndeshja Francë-Izrael, jo shumë interesante nga pikëpamja sportive, merr kuptime të tjera, përfshirë dhe mungesën e yllit të kombëtares franceze, Kylian Mbappé, të cilin trajneri Deshamps e la jashtë skuadrës, ”sepse kështu është më mirë”.
Në Radio J, transmetuesi i komunitetit hebre, komentatori Frank Tapiro, nënvizoi se “ka diçka të çuditshme në këtë histori, Mbappé do të humbasë dy ndeshje me kombëtaren franceze këtë vit dhe të dyja janë kundër Izraelit (në realitet Mbappe nuk do të luajë as kundër Italisë). Shpresoj që të mos jetë për arsye politike”.
Përfaqësuesit e kampionit madrilen e mohojnë dhe sipas Deschamps, ai “dëshironte të luante”, por rasti i ri Mbappe tregon se sa tension e rrethon ndeshjen.