Eduart Reçi, 52 vjeç, biznesmen në fushën e ndërtimit, humbi jetën në spitalin e Traumës mëngjesin e kësaj të enjteje, pasi u qëllua me një plumb në kokë rreth mesnatës të së mërkurës pranë banesës së tij në Tiranë.
Viktima u qëllua me armë nga të paktën një person i paidentifikuar në rrugën e Elbasanit në kryeqytet pranë pallatit që ai kishte ndërtuar dhe ku banonte vetë, në afërsi të dy fakulteteve që ndodhen në atë zonë.
Pasi ka parë edhe videon në vendin e ngjarjes, policia dyshon se ka pasur vetëm një të shtënë që e ka kapur Reçin në kokë, duke kaluar tejpërtej.
Dyshimet janë se është një atentat i kryer nga njerëz profesionistë, larg skemave klasike të atentateve në rrugë.
Nga kamerat e sigurisë dëgjohet vetëm një e shtënë me armë zjarri dhe momenti kur 52-vjeçari me origjinë nga Dibra bie në tokë, por nuk ka persona të tjerë afër duke shtuar dyshimet e policisë se është qëlluar nga distanca ose lartësia.
Fakti që ekzekutimi është kryer me një saktësi të tillë ngre dyshime se Reçi mund të jetë ekzekutuar me armë zjarri të pajisura me dylbi.
Por plumbi i gjetur në vendngjarje, nuk i çon hetuesit drejt dyshimeve që arma të ketë qenë një snajper ose një pushkë me dylbi optike.
Në vendngjarje nuk është gjetur gëzhojë.
Grupi hetimor po punon për të hapur kamera në distancë me shpresë se mund ta identifikojë autorin/ët e dyshuar.
Pamjet kanë fiksuar Eduard Reçin teksa ecën dhe bie në tokë pas një të shtëne, zhurma e së cilës dëgjohet edhe në disa kamera sigurie që regjistrojnë me zë.
Dyshohet se autorët e kanë ruajtur dhe pritur momentin që 52-vjeçari ka dalë jashtë pallatit dhe ka qenë i vetëm.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se familjarët e 52-vjeçarit, mohojnë që i afërmi i tyre të ketë patur konflikte me persona të tjerë, pasi nuk rezulton me precedentë penal.
Eduart Reçi prej disa vitesh merrej me firmën e tij të ndërtimit, ndërkohë më herët ka qenë drejtor i një drejtorie në institucionin e SHISH.
Si pistë për zbardhjen e vrasjes së biznesmenit Eduart Reçi, policia i ka përqendruar hetimet në dy raste. E para në atë të ndonjë konflikti të mundshëm për çështje pronësie dhe pista e dytë, ajo e ndonjë konflikti në biznes.
Ndërkohë policia ka ngritur një grup hetimor që po punon për të identifikuar dhe arrestuar autorin/ët. Ngjarja po konsiderohet një atentat.